Nathalie Tocci*
Përçarja në marrëdhëniet transatlantike i ka lënë udhëheqësit evropianë në mëdyshje – jo vetëm për të vepruar me autonomi, por edhe për të menduar në mënyrë të pavarur. Ajo që i nevojitet më urgjentisht Evropës është një mendje e saj për Lindjen e Mesme.
Tragjikisht, qeveritë e BE-së sapo kishin filluar të kthenin faqen pas një viti e gjysmë bashkëfajësie me krimet e luftës të qeverisë izraelite në Gaza. Planet e turpshme të Donald Trump-it për një “rivierë” në Gaza dhe “iniciativa humanitare” që shkelin parimet humanitare kishin nisur të krijonin një distancë me SHBA-në, dhe qeveritë evropiane po përpiqeshin të hartonin një qasje të tyren.
Franca dhe Arabia Saudite kishin planifikuar një konferencë për zgjidhjen me dy shtete, e cila mund të kishte çuar në njohjen nga ana e Parisit të shtetësisë palestineze. Më e rëndësishmja, BE-ja kishte pranuar të shqyrtonte marrëveshjen e asociimit BE-Izrael, e cila, në dritën e krimeve të luftës të Izraelit, duhet të çojë në pezullimin e tregtisë preferenciale me Tel Avivin – por tashmë kjo gjë mund të mos ndodhë.
Megjithatë, sulmi ushtarak i Izraelit ndaj Iranit dhe mbështetja e paqartë, por e dukshme e SHBA-së për këtë agresion, e kanë përmbysur orientimin e ri të Evropës drejt më shumë autonomisë dhe qartësisë morale.
Sigurisht, nuk ka simpati për regjimin iranian në kryeqytetet e BE-së, për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimit ushtarak me Rusinë, veçanërisht në luftën në Ukrainë. Për më tepër, Evropa me të drejtë mbetet e vendosur se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore. Alarmi është shtuar nga raporti i fundit i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike mbi shkeljet e Iranit ndaj traktatit të mosshpërndarjes bërthamore.
Por tradicionalisht Evropa ka qëndruar e palëkundur në nevojën për ta zgjidhur çështjen bërthamore iraniane përmes diplomacisë. Pikërisht për këtë, në fillim të viteve 2000, diplomatët evropianë shpikën formatin “E3/BE”, që përfshinte Francën, Gjermaninë, Britaninë dhe përfaqësuesin e lartë të BE-së për të ndërmjetësuar mbi dosjen bërthamore të Iranit.
Sot, ai realitet nuk ekziston më. Kur Trump nisi negociata të drejtpërdrejta me Iranin, Evropa u la mënjanë dhe u përjashtua nga çdo proces ndërmjetësimi. Tani, me sulmin ushtarak të Izraelit ndaj Iranit, ne kemi dështuar të pozicionohemi me qartësinë e nevojshme: ku ishte denoncimi i bombardimeve si shkelje e Kartës së OKB-së (neni 2) dhe e Protokollit shtesë të Konventave të Gjenevës (neni 56), që ndalon specifikisht sulmet ndaj objekteve bërthamore të një shteti? Është një gjë të mbrosh të drejtën e Izraelit (apo të çdo shteti tjetër) për vetëmbrojtje. Është krejt tjetër ta legjitimosh një sulm parandalues.
Kjo paaftësi kronike vjen ngaqë Evropa e ka parë botën gjithmonë përmes lentes transatlantike. Në shumicën e çështjeve ndërkombëtare, për dekada me radhë, ka punuar në bashkëpunim të ngushtë me Uashingtonin, duke përdorur ndihma, tregti, diplomaci, sanksione, mbrojtje dhe integrim për të mbështetur qëllimet e politikës së jashtme amerikane, duke besuar se ndante me të vlera dhe interesa të përbashkëta.
Vetëm në raste të rralla, vendet evropiane i janë kundërvënë haptazi SHBA-së – siç bënë Franca dhe Gjermania ndaj administratës Bush mbi luftën në Irak në vitin 2003. Edhe kur dallimet ishin të dukshme, Evropa është përpjekur ta zbusë politikën e jashtme amerikane, jo ta sfidojë. Ndërmjetësimi evropian në çështjen bërthamore të Iranit çoi, për shembull, në marrëveshjen gjithëpërfshirëse të vitit 2015. Dhe ndërsa rivaliteti mes SHBA-së dhe Kinës thellohej, vendet e BE-së u distancuan nga thirrjet amerikane për ndarje të ekonomive, duke zgjedhur versionin më të butë të “minimizimit të rrezikut”.
Por politika e jashtme shkatërrimtare e Trump-it ka krijuar një botë ku evropianët duhet të qëndrojnë më këmbët e veta. Dhe po hasin vështirësi.
Për çështjen e Ukrainës, Evropa ka mësuar në mënyrë të dhimbshme dhe qëndron e vendosur, duke mbajtur ndihmën financiare e ushtarake për Kievin dhe duke kërkuar mënyra për të mbushur boshllëkun në rast të tërheqjes amerikane.
Por përtej Ukrainës, jemi në humbje totale. Është e vërtetë që Evropa është forcuar ndaj Pekinit; nuk është më e magjepsur nga nisma “Brezi dhe Rruga” dhe është e vetëdijshme për rrezikun strategjik që përbëjnë politikat kineze në Evropë. BE-ja ka filluar të kontrollojë investimet kineze në kontinent dhe ka rritur tarifat për makinat elektrike kineze.
Por pasiguria që vjen nga sinjalet e përziera të Trump-it nënkupton se Evropa duhet të përcaktojë vetë çfarë mendon dhe dëshiron nga Pekini. BE-ja nuk mund të përballojë një luftë tregtare në disa fronte, veçanërisht nëse bisedimet tregtare me Uashingtonin dështojnë.
Qeveritë evropiane gjithashtu e dinë se nuk ka asnjë mënyrë për të përmbushur objektivin e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050 – tashmë i sanksionuar me ligj – pa bashkëpunuar me Kinën, e cila është udhëheqëse në ekonominë e gjelbër. Edhe nëse ndodh një “marrëveshje” e papritur mes Trump-it dhe Xi Jinping-ut, është e vështirë të imagjinohet që Evropa të kthehet në ditët kur e shihte Kinën vetëm si partnere ekonomike dhe aleate të multilateralizmit. Evropianët duhet të zhvillojnë ide dhe politika të tyre, të pavarura nga një Shtëpi e Bardhë e paparashikueshme – por nuk dinë si.
Me luhatjet politike përballë luftës më të fundit, Evropa nuk ka fituar as favorin e Uashingtonit, as nuk ka përmirësuar pozicionin ndaj Izraelit. Ndërkohë, ka humbur çdo besueshmëri si ndërmjetës i paanshëm ndaj Iranit. Dhe si qershi mbi tortë, Rusia ka zënë vetë pozicionin e ndërmjetësuesit, me Trump-in që i jep sinjale të heshtura mbështetjeje kësaj ideje absurde.
Rreziku është që Evropa tani do të bllokojë edhe rrugën e saj drejt një qëndrimi më moral ndaj tmerrit në Gaza: ditët në vijim do të tregojnë nëse BE-ja do të pezullojë marrëveshjen tregtare me Izraelin – apo edhe kjo do të shtyhet pafund.
Ukraina mbetet interesi më i rëndësishëm i sigurisë për Evropën. Por lufta, kaosi dhe përhapja bërthamore në Lindjen e Mesme – që mund të jenë pasojë e padëshiruar e luftës Izrael-Iran – janë më të rënda për Evropën sesa për SHBA-në. Deri tani, reagimi evropian është larg të qenit i pavarur, qoftë në mendim, qoftë në veprim.
*Nathalie Tocci është kolumniste për Evropën në Guardian/ Përgatiti: L.Veizi