Polly Toynbee*
Deputetë, lexoni këtë tmerr përpara se të votoni sot. Ja si po vdesin disa njerëz aktualisht, ngadalë, në agoni vdekjeprurëse, që nuk shërohet dot as nga përkujdesja paliative më e mirë: “Disa do të përvjelin nga era e trupit të tyre që po kalbet. Disa do të vjellin jashtëqitjen e tyre. Disa do të mbyten, ngadalë, pashmangshëm, për disa ditë me radhë.” Sipas të dhënave të vitit 2019, mesatarisht 17 persona në ditë vdesin në këtë mënyrë të tmerrshme, sipas raporteve të profesionistëve të përkujdesjes paliative që i kanë parë nga afër këto raste.
Raporti E vërteta e pashmangshme i publikuar nga organizata Dignity in Dying (Dinjteti në Vdekje), zbuloi atë që zakonisht mbahet e fshehur: muajt e fundit shokues për më fatkeqët. Kjo mund t’i ndodhë kujtdo – ty apo mua. Votimi përfundimtar i projektligjit për vdekjen e asistuar sot në Parlament nuk është një debat abstrakt për rreziqet e rrëshqitjes morale apo për dëshirën e Zotit: të mos bësh asgjë do të thotë t’u shkaktosh torturë shumë njerëzve.
Votimi pritet të jetë i ngushtë: ligjet e propozuara nga deputetë të pavarur nuk janë të detyruara nga disiplinë partie dhe varen nga pjesëmarrja. Në leximin e dytë, 330 deputetë ishin pro, 275 kundër. Pas mbi 100 orësh shqyrtimi të hollësishëm dhe amendimeve të rrepta, më shumë se 40 deputetë kanë ndryshuar qëndrim – në të dy drejtimet. Sipas ndryshimeve, nuk do jetë më një gjykatës që shqyrton kërkesat, por një panel ekspertësh me jurist, punonjës social dhe psikiatër. Kompromiset përfshijnë një pritje katërvjeçare pas dekretimit të ligjit për të vënë shërbimin në funksion. Sipas një ndjekjeje votimi nga ITV News, priten 154 vota pro, 144 kundër, 22 të pavendosur dhe 21 që do të abstenojnë.
Kundërshtarët po përdorin armët e fundit. Ipeshkvijtë katolikë paralajmëruan këtë javë se e ardhmja e shtëpive të kujdesit dhe hospicëve do të vihet “në dyshim serioz” nga kjo ligjësim: “Institucione që gjithmonë kanë ofruar kujdes të dhembshur në sëmundje ose pleqëri, dhe e kanë ofruar atë deri në fund të jetës, mund të mos kenë zgjidhje tjetër përveçse të tërhiqen nga ky mision.” Fjalë si “hipokrizi” do të ishin më të përshtatshme – pasi sipas projektligjit, punonjësit shëndetësorë e socialë mund të refuzojnë të përfshihen në procesin e vdekjes së asistuar.
Zoti vepron në mënyra kaq misterioze, saqë disa ndjekës të Tij zgjedhin ta fshehin përfshirjen e Tij, pa e përmendur publikisht arsyen fetare përse janë kundër. Grupi Our Duty of Care nuk përmend Zotin në faqen e tij të internetit – as faktin që ndan zyrën dhe financimin me grupe ungjillore. Anëtarësia e Care Not Killing, që drejton fushatën Our Duty of Care, është kryesisht fetare. Vetëm Zoti përcakton momentin kur hyjmë apo dalim nga kjo botë. Misteri është: pse e mbajnë të fshehtë këtë? Ndoshta sepse në një vend ku 53% e popullsisë nuk ka fe, fjala e Tij nuk bind më askënd.
Disa besimtarë të tjerë, si Jacob Rees-Mogg në GB News, nuk e përmendin drejtpërdrejt Zotin, por akuzojnë Partinë Laburiste për një “kult vdekjeje”, duke thënë se deputetët laburistë “po votojnë për të shuar pleqtë” – në të njëjtën javë kur Dhoma e Komunëve dekriminalizoi ndërprerjen e shtatzënisë. Kult vdekjeje? Kjo duket më e përshtatshme për ata që janë të gatshëm të lënë njerëzit të vdesin në dhimbje të tmerrshme.
Por jo të gjithë kundërshtarët janë fetarë. Një nga më të çuditshmit është Kolegji Mbretëror i Psikiatërve. Edhe pse projektligji kërkon që pacientët të jenë mendërisht të aftë për të kërkuar vdekjen e asistuar, kolegji kujton deputetëve se “sëmundja terminale është një faktor rreziku për vetëvrasje”. Por pikërisht kjo është thelbi – një moment kur vetëvrasja mund të jetë një akt racional. T’u ofrosh terapi psikiatrike njerëzve që janë në agoni, në vend të një mjeti për të lehtësuar vuajtjen, është të thuash që po tallesh.
Grupet e personave me aftësi të kufizuara kanë ngritur shqetësime bindëse – nga frika se mund të shtyhen drejt vetëvrasjes nga perceptimi i të qenit barrë. Por sondazhet tregojnë se 78% e personave me aftësi të kufizuara janë pro vdekjes së asistuar – njësoj si pjesa tjetër e popullsisë.
Skocia, Jersey dhe Ishulli i Man kanë ecur përpara Anglisë në këtë drejtim, dhe Franca i është bashkuar së fundmi vendeve që kanë legalizuar të drejtën për të vdekur. Qindra vetë udhëtojnë drejt Dignitas në Zvicër: 52% e britanikëve thonë se do e konsideronin këtë vdekje të vetmuar e të trishtë, por shumë pak e përballojnë koston prej 15,000 £. Rreth 650 vetëvrasje të të sëmurëve terminalë regjistrohen çdo vit; ndoshta ka edhe më shumë raste të tilla, të vetmuara dhe të paasistuara.
Nëse tingëlloj e zemëruar, është nga kujtimi i vdekjes së dhimbshme të nënës sime: ajo mendonte se mjeku i saj i mirë do ta ndihmonte të largohej me dinjitet – por pas rastit Shipman, ai nuk mundi. Jo, siç shpresojnë disa, morfina nuk është një ilaç i butë që të “shpërndan” me lehtësi – ajo nuk i zhduk të gjitha dhimbjet. Mjaft njerëz kanë parë nga afër vdekje të këqija që opinioni publik është fort në favor të së drejtës për të vdekur.
Kundërshtarët paralajmërojnë se njerëzit mund të ndihen të detyruar të vdesin më shpejt sepse ndihen barrë për të afërmit. Por për mua, dëshira për të mos i shkaktuar vuajtje të afërmve të tu është një arsye e mirë për të mos i lënë si trashëgimi kujtime të zymta për muajt e fundit. Të dish që ekziston si mundësi – edhe nëse nuk e përdor kurrë – i jep ngushëllim shumë njerëzve që përballen me një diagnozë fatale. Po sikur, vazhdojnë të paralajmërojnë kundërshtarët, dikush të detyrohet? Gjithçka është një ekuilibër rreziku: ta vlerësosh sigurinë e disa vdekjeve të tmerrshme përballë mundësisë që një person të sëmurë humb disa muaj jetë. Cila është më e keqe?
Teksa Laburistët mbushin një vit në pushtet, kjo votë duhet të bashkohet me vendimin për dekriminalizimin e abortit si një tjetër gur kilometrik në historinë e gjatë të lirive personale që gjithmonë ka qenë pjesë e trashëgimisë së kësaj partie. Ndërsa Harold Wilson nuk i mbështeti personalisht reformat radikale të Roy Jenkins, Keir Starmer i ka përkrahur me zë të lartë të dy projektligjet. Nëse miratohet, ai kalon në Dhomën e Lordëve, ku 26 peshkopë do të bëjnë ç’të munden për ta ndaluar – duke na kujtuar pse duhen hequr nga aty, bashkë me lordët trashëgimtarë.
Kam shkruar shpesh gjatë këtyre viteve për të drejtën për të vdekur kur ne vetë zgjedhim. Shpresoj të mos kem nevojë ta bëj më kurrë.
*Polly Toynbee është kolumniste e “The Guardian”/ Përgatiti për botim: L.Veizi