Nga Maureen Dowd
Ndoshta mbreti i çmendur – ai tjetri – nuk qenka aq i çmendur sa mendonim.
“George III është si Abraham Linkolni në krahasim me Trump-in,” thotë Rick Atkinson, autori që po risjell në jetë Luftën për Pavarësinë përmes historive magjepsëse “Britanikët Po Vijnë” dhe “Fati i Ditës.” Kjo e fundit, libri i dytë i një trilogjie në zhvillim, ka gjashtë javë qëndron në listën e librave më të shitur të New York Times dhe po lexohet me etje nga ligjvënësit në Capitol Hill.
Teksa mes demokratëve po rritet rezistenca me parullën “Jo Mbretër”, dhe ndërsa Presidenti Trump vazhdon të sfidojë kufizimet mbi pushtetin ekzekutiv, është ndihmuese të shqyrtohen krahasimet mes Presidentit Trump dhe George III.
“George nuk është ‘përbindëshi mbretëror’ që Thomas Paine e quan në ‘Mendimi i shëndoshë’ (Common Sense),” më tha Atkinson. “Nuk është ‘tiraniku’ që Jefferson e përshkruan në Deklaratën e Pavarësisë, dhe nuk është idioti tinëzar që shfaqet çdo natë në skenë në Hamilton, duke kënduar ‘Do të kthehesh prapë’.”
(“Dhe kur gjërat të bëhen të vështira, do të dërgoj një batalion të armatosur mirë për të të kujtuar dashurinë time!”)
Po, George III kishte episode maniakale që frikësonin njerëzit — të portretizuara në dramën e Alan Bennett-it Çmenduria e George III, e kthyer në film me Nigel Hawthorne dhe Helen Mirren. Asistentët e pallatit tronditeshin kur urina e mbretit merrte ngjyrë blu.
“Ai mbante këmishë force për një kohë — aq i çoroditur ishte,” tha Atkinson. “Dhjetë vitet e fundit i kaloi në Windsor, në thelb i mbyllur si në një qeli. U bë i verbër dhe i shurdhër. Kishte flokë të gjatë të bardhë, mjekër të bardhë.”
Mbreti George ishte i pamëshirshëm ndaj fëmijës së tij të arratisur – Amerikës.
“Është i pamëshirshëm,” shpjegoi Atkinson, “sepse beson se nëse kolonitë amerikane lejohen të shkëputen, kjo do të nxisë kryengritje në Irlandë, në Kanada, në Ishujt e Sheqerit të Britanisë, në Inditë Perëndimore, në Indi, dhe do të jetë fillimi i fundit të Perandorisë së Parë Britanike, që sapo është krijuar. Dhe ai nuk do ta lejojë këtë të ndodhë gjatë mbretërimit të tij.”
*Maureen Dowd është kolumniste opinioni, raporton nga Uashingtoni
Burimi: The New York Times/ Përgatiti për botim: L.Veizi