Ministria e Arsimit dhe Sportit, ka dalë me një njoftim zyrtar, që pas publikimit të disa prej tezave të lëndëve me zgjedhje, për të cilat po testohen rreth 27 mijë maturantë.
Sipas ministrisë, provimi i studentëve të ardhshëm po zhvillohet në përputhje me standardet e sigurisë, teksa publikimi i tezave vjen pas nisjes së testimit. Më tej sqarohet se publikimi i këtyre tezave, nuk cenon procesin e provimit për maturantët.
“Provimi i lëndëve me zgjedhje, pjesë e Maturës Shtetërore 2025, po zhvillohet në përputhje me standardet dhe procedurat e sigurisë dhe publikimi i tezave pasi provimi ka filluar në të gjitha qendrat e testimit nuk e cënon në asnjë moment procesin.
Procesi i Maturës Shtetërore është zhvilluar me masa të shtuara sigurie, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, për të garantuar barazi dhe integritet për të gjithë maturantët.
MAS është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse dhe ka ngritur strukturat e monitorimit në terren, me qëllim garantimin e një procesi të drejtë dhe të sigurt për nxënësit tanë.
Ministria falenderon të gjithë mësuesit, drejtuesit e shkollave, administratorët e provimeve për angazhimin në mbarëvajtjen e Maturës Shtetërore”, njofton ministria./kb