24 qershor 1911 – Lindja e shkrimtarit
Nga Leonard Veizi
Ai do të jetonte pothuaj një shekull. E ndanin vetëm 55 ditë nga rrumbullakimi i qindvjetorit kur u nda nga jeta më 30 prill të vitit 2011. Ernesto Sabato ishte lindur në Rojas, që ishte një provincë e Buenos Aires, në Argjentinë, më 24 qershor të vitit 1911. Dhe megjithatë, ajo që do ta bënte të pavdekshëm kishte ndodhur shumë më herët – në librat që trazonin ndërgjegjen dhe në veprimin moral që e bëri simbol të shpirtit që nuk pajtohet me padrejtësinë.

…Një vit para se Shqipëria ta mirëpriste, në 1995, fondacioni kulturor “Veliaj”, me drejtuese ekzekutive Mira Meksin, ndërmori një nismë që sfidonte kufijtë e zakonshëm të një vendi të vogël dhe të drobitur nga historia: krijoi çmimin ndërkombëtar “Kadare”. Ishte një përpjekje për të lidhur Shqipërinë me botën jo përmes statistikave, por përmes letërsisë – përmes shpirtit. Në një vend ku fjala kishte qenë e ndaluar për dekada, ishte një akt guximi të vendosje fjalën mbi gjithçka tjetër, duke i kthyer vendit dinjitetin e humbur përmes vlerave të mendimit të lirë.
Dhe kështu, në prill të vitit 1996, ajo që nisi si një ide u kthye në ngjarje: në aeroportin e Rinasit, në një pasdite pranvere, zbriti një figurë e brishtë, por e rëndë si koha vetë. Ernesto Sabato, njeriu që kishte parë fytyrën e errët të njeriut dhe nuk ishte trembur ta përshkruante, mbërriti në Shqipëri për të marrë çmimin “Kadare”. Ishte një çast që tejkalonte ceremonialet – më shumë se një nderim letrar, ishte një takim shpirtëror mes dy anëve të botës, që ndanin të njëjtën plagë dhe të njëjtën etje për të vërtetën.
Në pistën e aeroportit e priste Ministri i Kulturës, shkrimtari Teodor Laço. Nuk kishte parakalim protokollesh, as ngrehina zyrtare fjalësh.
”Jam shumë i emocionuar që ndodhem këtu, sepse një e katërta e gjakut tim është shqiptar”, tha Sabato për mediat zyrtare në atë ditë prilli.
Në shkrimin e saj, botuar më 4 dhjetor 2021 në “ExLibris”, Mira Meksi kujton se tri ditë përpara ardhjes, Sabato i kishte dërguar Shqipërisë me faks Testamentin e tij shpirtëror:
“Pas shumë peripecish, më 17 prill 1996 Sabato mbërriti në Tiranë: qe personaliteti më i madh i kulturës botërore që kish shkelur ndonjëherë tokën e arbërit; – për një javë të tërë kryeqyteti njohu shumë ngjarje kulturore që lidheshin me të, – por tri ditë përpara ardhjes, ai i dërgoi me fax Shqipërisë Testamentin e tij shpirtëror disafaqësh, si një lloj biografie jetësore, biografi idesh. Më kujtohet biseda ime e parë me Ernesto Sabaton në telefon, që nuk e fshihte asfare mallëngjimin e thellë dhe fjalët që i dilnin bashkë me ngashërimet:“Nuk doja të vdisja pa parë malet e Shqipërisë, vendin e origjinës të nënës sime, por as që e imagjinoja se mundësia do të më vinte me anë të një çmimi letrar…” Ceremonia e dorëzimit të çmimit qe madhështore dhe krejt e pazakontë në një sallë të madhe të Piramidës, ku, mes dhjetëra njerëzve të kulturës shqiptare të ardhur nga të gjithë trevat shqiptare, mes të cilëve edhe Kadareja, por edhe të shumë personaliteteve të huaja të kulturës. Sabato shpalli se tashma që kish parë malet e Shqipërisë e kish hequr më në fund “pengun” e jetës së tij dhe ndihej krenar për origjinën e nënës së vet; ku shkrimtar Visar Zhiti i solli një grusht dhe nga trualli i arbëreshëve të Italisë dhe ku të gjithë, me krijues dhe me dashamirës të çmimit Kadare, iu gëzuam triumfit të tij të plotë. Shtypi i rëndësishëm botëror shkroi për ngjarjen”.
Ernesto Sabato nuk ishte thjesht një shkrimtar. Ai ishte një shpirt në kërkim të kuptimit të njeriut. Fillimisht studiues i fizikës, me doktoraturë në Universitetin e La Platës dhe me eksperiencë në Institutin “Curie” të Parisit, ai braktisi shkencën për të ndjekur thirrjen që i vinte nga errësira e brendshme. Një thirrje që e çoi drejt Dostojevskit, Kafkës, dhe më në fund, drejt vetvetes. E pas kësaj ai mbeti i cilësuar si i barasvlefshëm me Borges, Marquez, Cortazar.
Ai shkroi pak, por secila nga veprat e tij është një zbritje në skutat më të errëta të shpirtit:
“Tuneli” – historia e një vrasësi që kërkon kuptim në dashuri dhe gjen vetminë si dënim.
“Njëmbëdhjetë muzetë e ferrit” – një himn i dhembshëm për dekadencën e Argjentinës dhe paranojën si metaforë universale.
“Abaddoni shkatërruesi” – një testament i thyer i një bote në shkatërrim, ku Sabato shfaqet si vetja dhe si dëshmitar njëkohësisht.
Por veprimi më i madh i tij qe jashtë letërsisë. Pas diktaturës ushtarake në Argjentinë, ai udhëhoqi Komisionin Kombëtar për Zhdukjen e Personave dhe përpiloi raportin “Nunca Más” e cila vjen në shqip si: “Kurrë më” – një dokument që tronditi botën me të vërtetat që përmbante dhe që e bëri Sabaton jo vetëm autor, por ndërgjegje të një kombi.
Për më tej se kaq Sabato ka marrë çmimin “Gabriel Mistral” nga Organizata e Shteteve Amerikane. Mbreti i Spanjës, Huan Karlos, e dekoron me çmimin “Miguel de Cervantes”. Dekorohet nga Italia me “Urdhrin për Merita” dhe Franca e dekoron me gradën “Komandant i Legjionit të Nderit”.