Nga Leonard Veizi
Ai na ka bërë të qeshim pa fund me personazhin e tij. I shkurtër dhe i shkathët aq sa nuk vihej re se ishte më i madhi ndër nxënësit e tjerë të një shkolle elementare. Por Alvaro Vitali, komiku legjendar italian i njohur më së shumti për rolin e tij si “Pierino”, ka ndërruar jetë në moshën 75 vjeçare. Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka sjellë një valë emocionesh në botën e kinemasë italiane dhe më gjerë, ku emri i tij është bërë sinonim i një lloj humori të veçantë që për dekada u bë pjesë e pandashme e jetës së përditshme.

Një aktor i popullit
Alvaro Vitali lindi më 3 shkurt 1950 në Romë. Fillimisht, nuk e kishte menduar veten si aktor. Punonte si elektricist kur një takim i rastësishëm me mjeshtrin Federico Fellini do t’i ndryshonte jetën përgjithmonë. Fellini e përzgjodhi për një rol episodik në filmin “Satyricon” – që u prodhua nëv vitiin 1969 – dhe më pas në “Amarcord” në vitin 1973, duke e sjellë atë në qendër të vëmendjes si një fytyrë e veçantë në kinemanë italiane.
Por ishte në vitet ’70 dhe ’80 që Vitali njohu suksesin më të madh, me një seri filmash komikë që sot cilësohen si pjesë e një nënzhanri të njohur si “commedia sexy all’italiana”. Me trupin e tij të imët, mimikën e theksuar dhe shprehjet fëminore, ai mishëroi figura groteske, shpesh naive, por gjithmonë të dashura për publikun.
Legjenda e Pierinos
Personazhi që i solli famë të përjetshme ishte ai i Pierinos – nxënësi i padisiplinuar, gojëkeq, që sfidon mësuesit dhe prindërit me shakara të pista dhe zgjidhje të çuditshme. Me një seri filmash si “Pierino contro tutti” më 1981 dhe “Pierino colpisce ancora” më 1982, Alvaro Vitali nuk u bë vetëm një ikonë popullore në Itali, por edhe në vende si Shqipëria e viteve ’80, ku filmat e tij qarkullonin nën dorë, në mënyrë ilegale, duke sjellë një lloj çlirimi në një shoqëri të shtypur.
Për shumë shqiptarë të atyre viteve, Vitali ishte simboli i një bote tjetër – më e lirë, më gazmore, më e çmendur. Shakatë e Pierinos u bënë pjesë e kujtimeve kolektive të një brezi që kërkonte të qeshte edhe në terr.
Më shumë se një komik
Edhe pse u identifikua gjatë me Pierinon, Vitali kishte një gamë më të gjerë se kaq. Ai punoi me regjisorë të njohur, përfshirë Fellinin, dhe interpretoi edhe në komedi pa elementët erotikë, duke provuar veten si një karakter aktori i përshtatshëm për format të ndryshme. Megjithatë, hija e famës së Pierinos nuk e la asnjëherë, për mirë apo për keq.
Në vitet e mëvonshme të jetës, Vitali u rikthye shpesh në televizion, duke marrë pjesë në programe humori dhe duke rifreskuar legjendën e tij. Në rrjetet sociale, ai ishte aktiv dhe i dashur nga ndjekësit e të gjitha moshave. Madje, ai pati edhe një përpjekje për të rikrijuar Pierinon në një moshë më të madhe, gjithmonë me atë dëshirë për të sjellë të qeshura.
Lamtumirë, Pierino!
Vdekja e Alvaro Vitalit nuk është thjesht humbja e një aktori – është fundi i një epoke. Një kohë kur kinemaja guxonte të ishte e paturpshme, e lehtë, e çliruar nga çdo kompleks. Ai nuk ishte thjesht një komik i zakonshëm, por një fenomen kulturor, një kujtim i ngjitur në murin e nostalgjisë kolektive.
Tanimë, Pierino shkon për të bërë ndonjë shaka edhe atje lart duke thënë me atë zërin e tij të çjerrë: “Profé, e’ tutta colpa vostra!”