Selia diplomatike e Rrugës së Elbasanit ka pritur për dy ditë më radhë prokurorët shqiptarë në një trajnim të posaçëm mbi hetimin dhe ndjekjen penale të provave digjitale, nën kujdesin e Programit të Ndihmës së Sigurisë Diplomatike për Antiterrorin.
Ambasada Amerikane në Tiranë ndan fjalën e zëvendës Shefes së Misionit në detyrë, Kathryn Hammond me rastin e diplomimit të pjesëmarrësve në kursin “Ndërgjegjësimi Kibernetik për Prokurorët”.
Ajo ka theksuar se luftërat bashkëkohore fillojnë online dhe gatishmëria kibernetike është thelbësore, sepse mbrojtja e aeroporteve, spitaleve, rrjeteve energjetike dhe të dhënave personale është mbrojtje kombëtare.
“Aktorët e këqij po përdorin teknologji gjithnjë e më të sofistikuara, gjë që e bën të domosdoshme që forcat e rendit dhe prokurorët të jenë një hap përpara këtyre kërcënimeve që zhvillohen me shpejtësi. Trajnimi juaj në këtë kurs ju ka përgatitur për të përballuar këto sfida drejtpërdrejt, duke siguruar që drejtësia të vihet në vend në epokën digjitale”, është shprehur ajo.
Gjatë kursit, prokurorët shqiptarë kanë thelluar njohuritë mbi kompleksitetin e provave digjitale dhe rolin e tyre kyç në ndjekjen penale të terrorizmit dhe krimeve të tjera të mëdha. Ata gjithashtu fituar njohuri të vlefshme mbi mënyrat se si terroristët dhe kriminelët e tjerë shfrytëzojnë internetin dhe teknologjinë për të planifikuar dhe kryer veprat e tyre të tmerrshme.
“Ndërsa ktheheni në rrethet tuaja përkatëse, jam e bindur se do të zbatoni njohuritë dhe aftësitë që keni fituar për të pasur një ndikim të rëndësishëm në luftën kundër krimit”, është shprehur Kathryn Hammond, zëvendës Shefe e Misionit në detyrë në Tiranë. m.p.