Nga Jad Salfiti
Krenaria (Pride) asnjëherë nuk ka qenë apolitike, por vitet e fundit – veçanërisht pas ofensivës së pushtimit izraelit në Rripin e Gazës më 7 tetor 2023 – koalicioni i të drejtave queer në Perëndim duket gjithnjë e më i përçarë.
Në Berlin, qyteti që e quaj shtëpi, ngjarjet e Krenarisë janë ndarë sipas linjave politike, pasi Palestina është bërë një pikë e vazhdueshme përplasjeje. Sipas organizatorëve të Internationalist Queer Pride Berlin (IQP Berlin), përçarja mes dy eventeve të mëdha alternative erdhi pasi organizatorët fillestarë thirrën policinë në ngjarje, pas brohoritjeve “Free Palestine” nga pjesëmarrësit. Ndërkohë, në paradën zyrtare të Krenarisë në Berlin, valviten flamuj ylber dhe izraelitë, ndërsa një automjet i ambasadës izraelite marshon përmes qytetit.
Në IQP Berlin të vitit të kaluar, blloku palestinez ishte një nga më të mëdhenjtë. Hebrenj dhe arabë ecnin përkrah, të mbështjellë me shamitë palestineze keffiyeh, ndërsa policia gjermane me jelekë antiplumb i rrethonte. Ngjarja hasi rezistencë policore; forcat me pajisje të plota trazirash përdorën shkopinj dhe mburoja, dhe të paktën 25 persona u ndaluan – shumica nga blloku palestinez.
Pavarësisht këtyre gjesteve solidariteti dhe rreziqeve që sjell protesta, ka pasur zëra që e përqeshin idenë se personat queer mund të solidarizohen me Palestinën dhe të kërkojnë çlirim. Shembulli më i përhapur ishte vitin e kaluar, kur këngëtarja amerikane Chappell Roan kritikoi administratën Biden për armatosjen e ushtrisë izraelite. Në festivalin Governor’s Ball në New York, ajo refuzoi një ftesë për të performuar për muajin e Krenarisë nga Shtëpia e Bardhë, duke thënë:
“Ne duam liri, drejtësi dhe çlirim për të gjithë. Kur ta arrini këtë, atëherë do të vij.”
Kjo deklaratë ngjalli zemërimin e prezantuesit konservator Bill Maher, i cili sugjeroi me cinizëm se këngëtarja do të hidhej nga një çati në Gaza – një stereotip i zakonshëm, i bazuar në një video të përgënjeshtruar nga Reuters dhe AFP. Maher vazhdoi me tallje mizore, duke thënë se karriera e Roan do “shpërthente” si “pager-at në Liban”, duke iu referuar sulmeve izraelite që vranë 12 njerëz dhe plagosën mijëra. Me qindra fëmijë u vranë në muajt pasues në Liban – dhe me mijëra në Gaza. Maher hiqej si hero liberal i komunitetit queer, por ishte më i prirur të shihte fajin tek shoqëria palestineze, sesa të përballej me sistemet shtypëse të mbështetura nga vetë vendi i tij – sisteme që bombardojnë, zhvendosin dhe izolojnë palestinezët queer në Gaza.
Në korrik 2024, gjatë një fjalimi në Kongresin Amerikan, Benjamin Netanyahu deklaroi se protestuesit pro-Palestinës që mbanin pankarta “Gays for Gaza” ishin “si pulat për KFC”, duke sugjeruar se ekzistenca jonë është kontradiktore.
Ky përçapje për të ndarë solidaritetin ndërmjet queer-ve dhe Palestinës ka qenë vdekjeprurës. Një vit më parë, një ushtar izraelit ngriti një flamur ylber në Gaza, ku shkruhej “In the name of love” në anglisht, hebraisht dhe arabisht. Llogaria zyrtare e Izraelit në “X” (ish-Twitter) e promovoi si arritje, duke e quajtur “flamurin e parë të Krenarisë të ngritur ndonjëherë në Gaza”.
Si palestinez queer, kjo është thellësisht fyese: identiteti ynë përdoret si instrument lufte. Por më e çuditshmja është mospërputhja logjike: për dashurinë e kujt u ngrit ai flamur? Sigurisht jo për palestinezët queer në Gaza, që kanë jetuar 19 muaj terrori dhe një jetë të tërë nën pushtim.
Në Jeruzalem, qyteti ku jam pagëzuar, ekziston një scenë e vogël, e ndrojtur queer palestineze. Disa palestinezë nga qyteti arrijnë të marrin pjesë në evente në Tel Aviv, nëse u jepet leje udhëtimi. Shumica jo. Të qenurit queer në territoret palestineze do të thotë të përballesh me bariere të shumëfishta – politike, sociale, kulturore dhe ushtarake.
Një mik nga Gaza më tha një herë se dëshironte vetëm të jetonte në paqe, larg konservatorizmit, ekstremizmit fetar dhe luftës. Më pas mora vesh se ai kishte humbur prindërit, vëllain dhe disa kushërinj nga ofensiva izraelite. Një mik tjetër nga Jeruzalemi më tha se kishte një mesazh për Perëndimin:
“Liria vjen me shtresa. Ne jemi nën pushtim dhe përballemi me një gjenocid të vazhdueshëm. Shtresa e parë është thjesht të ekzistosh.”
Ne mund ta imagjinojmë një botë të drejtë dhe të sigurt për queer-ët palestinezë. Megjithëse ka komunitete queer të gjalla, edhe pse më të heshtura, në gjithë Lindjen e Mesme, përndjekja ekziston. Por nëse synimi është që queer palestinezët të jetojnë në një shoqëri të hapur dhe tolerante, ata duhet së pari të mbijetojnë agresionin izraelit. Nuk mund të ketë Krenari nën pushtim.
Ka organizata LGBTQ+ palestineze si alQaws dhe Alwan, që synojnë të ndërtojnë një shoqëri palestineze të bazuar në tolerancë, barazi dhe hapje. Por ky vizion bëhet thuajse i pamundur nën pushtim.
Nuk sheh dot ylberë nën rrënoja. Po ashtu, nuk mund të festosh me ndërgjegje të pastër muajin e Krenarisë në Perëndim, ndërkohë që vendet tona furnizojnë me armë dhe fonde ata që vrasin queer-ët palestinezë bashkë me familjet e tyre.
Pavarësisht përpjekjeve për ta vënë në kundërshti çështjen e të drejtave queer me atë të çlirimit palestinez, shumë queer nuk kanë rënë në këtë grackë.
Këtë muaj Krenarie, ne do të marshojmë sërish – të rrethuar nga konfetit dhe keffiyeh.
*Jad Salfiti është një producent dhe gazetar britaniko-palestinez.
Përgatiti për botim: L.Veizi