Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se një marrëveshje me Sirinë është e mundur, duke theksuar se Izraeli pret që Siria të krijojë një zonë të çmilitarizuar që shtrihet nga Damasku deri në malin Hermon dhe në zona të tjera përgjatë kufirit.
Netanyahu tha se Izraeli mbetet i përkushtuar për të mbrojtur komunitetet kufitare, për të parandaluar bazat e grupeve terroriste dhe veprimet armiqësore kundër vendit, si dhe për të mbrojtur aleatët druzë. Sipas tij, mbrojtja e shtetit të Izraelit nga sulme tokësore dhe kërcënime të tjera nga zonat pranë kufirit mbetet prioritet kyç.
Gjatë një vizite në një spital ku po trajtoheshin ushtarë izraelitë, Netanyahu përsëriti se, “me vullnet të mirë dhe me mirëkuptim për parimet e vendosura, është e mundur të arrihet një marrëveshje me sirianët, por Izraeli do të qëndrojë i palëkundur në parimet e tij”.
Ndërkohë, një ditë më parë (1 dhjetor), zyra e kryeministrit izraelit njoftoi se Presidenti amerikan Donald Trump e ka ftuar Netanyahun për një vizitë në Shtëpinë e Bardhë në të ardhmen e afërt. Ftesa erdhi pasi Trump theksoi se Izraeli duhet të mbajë një dialog të fortë dhe të sinqertë me Sirinë, duke shprehur mbështetje për transformimin e saj në një shtet të begatë./mxh