Festa e Krishtlindjes edhe pse festohet në nder të lindjes së figurës më të rëndësishme të historisë Jezusit , nuk mund të kuptohet pa simbolin më popullor të saj, që është Pema e Krishtlindjeve. Ndër vendet që e kanë shndërruar këtë ritual në simbolin kryesor të festës, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët janë edhe prodhuesit kryesorë në botë të aksesorëve të Pemës së Kritshlindjeve.
Kjo lidhet edhe me marketingun ose me shoqërinë e konsumit, politikë e cila është shumë e theksuar krahasimisht me vendet Europiane. Ndonëse Kina mbetet një nga prodhuesit më të fuqishëm në botë, tradita për vitin e ri funksionon ndryshe. Do mjaftonte ky detaj kulturor që SHBA të merrte stafetën e kësaj feste në botë.
Tradita e pemës së Krishtlindjeve,nuk është vetëm çështje marketingu, ekonomie , konsumi apo shitje. Ndonëse dikush mund të shohë fitime nga festat, ka plot të tjerë që kanë një lidhje shpirtërore me to. E tillë është edhe kjo pemë. Ajo u vendos nga Martin Luther si një homolog protestant i skenës Katolike të lindjes së Krishtit. Luther vendosi pemën e Krishtlindjeve si një simbol te “pema e jetës” në kopshtin e Edenit.
Sipas dijeve të krishtera, pema e Krishtlindjeve është lidhur me Shën Boniface dhe qytetin gjerman Geismar. Një herë gjatë jetës së tij, Shën Boniface (672-754) preu pemën e Thorit, në mënyrë që të hidhte poshtë legjitimitetin e perëndive skandinave mbi fiset lokale gjermane. Shën Boniface pa një pemë bredhi të mbinte në rrënjët e lisit të vjetër. Duke marrë këtë si një shenjë të besimit të krishterë ai tha: “Le të jetë Krishti në qendër të familjeve tuaja”, duke përdorur drurin e bredhit si një simbol të krishterimit.
/Fajla.al