Qindra e mijëra njerëz, të veshur kryesisht me rroba të zeza, janë mbledhur në Iran për t’i dhënë lamtumirën e fundit gjeneralit, Qasem Soleimani, i cili u vra përmes një sulmi me dron nga forcat amerikane të premten. Ai do të varroset në qytetin e lindjes, në Kerman.
Para se të dërgohej në vendlindje, trupi i pajetë i ushtarakut të lartë u nderua paraprakisht nga një numër i madh njerëzish në Irak dhe më pas në kryeqytetin e Iranit, Tehran.
Irani është zotuar për hakmarrje të ashpër ndaj vrasjes së komandantit të forcave Kuds dhe të dielën u tërhoq plotësisht nga marrëveshja bërthamore ndërkombëtare, me të cilën republikës islamike i kufizohej pasurimi i uraniumit.
Po kush ishte Qasem Soleimani?
Gjenerali 62 vjeç e kishte për detyrë që ta mbronte dhe ta forconte ndikimin e Iranit në Lindjen e Mesme përmes operacioneve sekrete dhe klandestine. Ai vlerësohej si person përgjegjës për dhjetëra sulme ndaj forcave amerikane.
Qasem Soleimani ishte gjeneral i lartë në Trupat e Rojeve Revolucionare të Iranit dhe nga viti 1998 ishte komandant i forcave Kuds, të cilat janë kryesisht përgjegjëse për operacionet e jashtme dhe klandestine.
Ai e kishte filluar karrierën ushtarake në luftën mes Iranit dhe Irakut në vitet ’80-të, kur kishte shërbyer si komandant i Divizionit të 41-të. Më vonë, ai u angazhua në operacione të jashtme, duke ofruar ndihmë ushtarake për Hezbollahun në Liban. Në vitin 2012-të, Soleimani i ofroi ndihmë edhe qeverisë së diktatorit sirian, Bashar Al Assad, i cili ishte aleat i rëndësishëm i Iranit. Ai dha asistencë edhe për forcat shiite në Irak, të përkrahura nga Tehrani.
Soleimani u vra nga një sulm me dron nga forcat amerikane më 3 janar, teksa udhëtonte me një mjet afër aeroportit të Bagdadit. Përveç tij, në këtë sulm mbetën të vrarë edhe disa pjesëtarë irakianë të Forcave Popullore të Mobilizimit.
Por pas ekzekutimit të tij u mësua se në atë post është emëruar gjenerali Esmail Ghaani, i cili nuk i ka kursyer kërcënimet mbi Trump dhe ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pas varrimit të gjeneralit pritet të mësohet edhe vendimi i Iranit për hakmarrje për vrasjen e tij. arkiva.fjala.al/