Para pak çastesh 18 zyrtarë të ndryshëm të qarkut të Durrësit, përfshi policë dhe zyrtarë të pushtetit lokal do të dalin para gjykatës. Po ndërsa ata janë paraqitur që pas orës 8.00 aty bëhet me dije se një pjesë prej tyre kanë mbetur jashtë sallës së gjyqit. Shkak është bërë kafazi me përmasa të vogla për të mbajtur brenda të gjithë të arrestuarit.
Zyrtarët u arrestuan tri ditë më parë dhe sot do të njihen me masën e sigurisë për secilin. Prokuror i çështjes është Afrim Shehu, ndërsa gjyqtar që do të vlerësojë masat është Paulin Cera.
Të gjithë të arrestuarit janë të pranishëm në gjykatë. Vetëm për policin Gani Dama masa do të jepet në mungesë, pasi është ende në kërkim, ndërsa Astrit Nure, specialist armatimi, që është pezulluar nga detyra dhe është lënë në detyrim paraqitje, përfaqësohet në seancën e sotme me avokatin e tij personal.
Seanca po zhvillohet në Durrës dhe po aty janë mbledhur me dhjetëra familjarë të cilët janë në mbështetje të njerëzve të tyre.
Sipas hetimit të këtij rasti u bë me dije se të arrestuarit kishin krijuar një mekanizëm korruptiv me qëllim përfitimin e parave, ndërsa në këmbim jepnin lejet për ndërtime të shumta të paligjshme si objekte banimi, magazina, objekte biznesi etj. Me anë të kësaj skeme abuzive ata shmangnin zbatimin e legjislacionit në fushën urbanistike dhe sigurimit teknik të tyre.
Por përveçse kanë favorizuar biznesmenët të ndërtojnë pa leje, kanë falsifikuar dokumentet, nuk kanë raportuar ngjarjet kriminale, dhe më tej akoma, kanë fshehur kallëzimet e bërë nga qytetarë të ndryshëm për abuzimet që po ndodhnin në këto zona me ndërtimet pa leje. Tashmë do të jetë gjykata që do të vendosë se si do të vijojë hetimi i tyre, në gjendje arresti apo në ndonjë masë më të butë.
Të arrestuarit dhe i shpalluri në kërkim:
Besnik Domi-Shef Rendi në Shijak
Sami Xhafa- Shefi i stacionit policisë Manzë
Ermal Petova- OPGj Manzë
Nikollë Marku- OPGj Manzë
Agim Osmani-ndihmës specialist policia Durrës
Haxhi Sherra-ndihmës specialist Komisariati Shijak
Petrit Neziri-ndihmës specialist policia Manzë
Ndricim Shika-ndihmës specialist policia Shijak
Gjergji Gerco-sekretar njësisë administrative Sukth
Jul Kacadej-specialist IMT-ja Shijak
Marjus Shaini-kryeinspektor IMT-ja Shijak
Adem Lika- ndërtues
Dëshir Dakoli- me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Komisariatin e Policisë Durrës
Astrit Nuri- specialist i armatimit në në policinë e Durrësit (detyrim paraqitje)
Dritan Koçi- Posedues dhe zhvillues i ndërtimi pa leje
Paulin Meta- Posedues dhe zhvillues i ndërtimi pa leje
Gjon Zefi- Posedues dhe zhvillues i ndërtimi pa leje.
Qerim Doka- Posedues dhe zhvillues i ndërtimi pa leje
Gani Dama- Polic patrulle (në kërkim)
arkiva.fjala.al/