Eksperti i ekonomisë jep sugjerime për rishikimin e paketës së ndihmës që do të mbulojë pasojat ekonomike të epidemisë
Nga Blerina Gjoka
1 Prill 2020. Tirana që njihnim para 20 ditësh nuk është më, punën që kishin para 20 ditësh shumë vetë nuk e kanë më, të tjerë janë në ankth se do ta humbasin në ditët në vijim. Baret e restorantet janë mbyllur duke dërguar në shtëpi mijëra vetë të punësuar në këtë sektor. Ata që kishin biznese u kanë vënë drynin, punojnë vetëm dyqanet ushqimore, farmacitë dhe furrat e bukës. Në Shqipëri nuk ka akoma një shifër të saktë se sa është numri i njerëzve që kanë humbur punën si pasojë e pandemisë së koronavirusit i njohur si Covid-19. Ekonomia ka nisur ta ndjejë krizën, e cila me gjasa do t’i shfaqë pasojat e saj pak më vonë. Edhe në vendet e zhvilluara kanë nisur të bëhen llogaritë për ekonominë, ndërsa izolimi i njerëzve nëpër shtëpi bëhet për një arsye më të fortë; bëhet për vetë jetën. Si mund të zgjidhet dilema e shpëtimit të ekonomisë në këto kushte, çfarë duhet të bëjë qeveria për të lehtësuar pasojat e krizës dhe për të ndikuar drejtpërdrejt tek njerëzit që kanë humbur punën si pasojë e epidemisë? Ekspert i ekonomisë Zef Preçi përgjigjet për gazetën “Fjala”.
Kur kanë kaluar disa javë që shumica e vendeve janë futur në një sistem karantine, alarmi që po ngrenë shumë ekonomistë lidhet me krizën e pritshme që do të kaplojë botën, duke nisur nga humbja e miliona vendeve të punës dhe falimentimi i ndërmarrjeve. Sa vjen e bëhet më e fortë dilema; nëse duhet të vijohet karantina për hir të shëndetit duke rrezikuar keq ekonominë? Sa etike është kjo dilemë dhe si po e zgjidhin vendet e zhvilluara?
Kjo është një dilemë jo-ekonomike, mbasi në çdo shoqëri demokratike qëllimi madhor i vetë qeverisjes është mirëqenia dhe prosperiteti i antarëve të saj. Aq më tepër kur bëhet fjalë për jetën e njerëzve. Nuk besoj se ka njerëz me formim normal që do të guxonin ta shtrobnin problemin “ose, ose”, të vinin në njërën anëe të balancës jetët e kërcënuara të njerëzve dhe nga ana tjetër falimentime të bizneseve, përkeqësimin e të ardhurave buxhetore, rritjen e pashmangshme të borxhit publik, etj. në fund të fundit, qeveria që në këtë rast gjendet midis qytetarëve dhe bizneseve dhe është një menaxhere e përkohshme e fateve të vendit (duke përfshirë edhe buxhetin e shtetit), për çfarë tjetër i ndermerr politikat e saj edhe në kohe krize si kjo, pervecse për të ndare riskun midis paleve… Po keshtu, cfare është rritja e borxhit publik dhe rreziqet e tjera që e shoqërojnë atë? Është një vendim-marrje që shton detyrimet për brezat e ardhshëm, në emer të shpëtimit të jetëve në kohën e sotme. Natyrisht që çdo qeveri ndodhet nën presionin e lobeve të mëdha të biznesit, oligarkëve që shfrytëzojnë çdo mundësi sipas tyre (dhe kriza është mundësi e artë për ta), spekulantëve të të gjitha ngjyrave, sponsorëve të fushatvae elektorale, senatorëve të “familjes” politike, etj., që duan të pasurohen në kohë krize, që duan të shfrytëzojnë momentin dhe duke qenë se janë në krahun e qeverisë, pra “kanë erën në favor” tentojnë të deformojnë rolin rregullator të qeverisë dhe të hedhin gjithë barrën e krizës mbi qytetarët deri edhe në mohimin e së drejtës së jetës. E tillë mund të ishte një politike injoruese e pasojave të krizës aktuale në zhvillim e sipër përndryshe mosinvestimi në infrastrukturën shëndetësore (psh aparatet e nevojshëm për frymëmarrje të drejtuar, etj) që në rast të shpËrthimit masiv të epidemisë do të detyronte personelin mjekësor të zgjidhte se cili pacient duhet të jetojë dhe cili duhet të vdesë… Natyrisht kjo situatë dhe dilema që shfaqet nuk ndodh vetëm tek ne, ndodh në shume vende dhe janë një provë e qartë e përgjegjshmërisë politike, publike e madje edhe në planin human dhe etik të çdo qeverie.
A ekziston dhe në Shqipëri kjo dilemë dhe çfarë duhet të bëjë qeveria në javët në vazhdim për të ndalur rrënimin ekonomik?
Nuk besoj se shkalla e nënshtrimit të qeverisë ndaj oligarkisë mund të arrijë deri këtu, për më tepër që meaxhimi i kësaj situate është në ditën e diellit dhe nuk mund të mbulohet dot me propagandë të asnjë lloji. D.m.th, kriza aktuale e epidemisë i ka bërë të pavlefshme shfaqjet butaforike në 3D e 4D, që u përcollën të shumëfishuara nga media audio-vituale edhe në rastin e tërmetit të 26 Nëntorit 2019. Di gjë njeri se sa themele janë hedhur dhe kur do të futen brenda ata qytetarë fatkeq që epidemia e koronoavirusit i gjeti në çadra? Këto janë pyetje që nuk lënë shumë hapësirë për propagande dhe justifikime të çfarëdollojshme…
Në javët në vijm, mendoj se qeveria duhet të rishikojë programin e saj buxhetor afatmesëm, buxhetin e vitit 2020 duke vënë theksin te balancimi i efekteve të krizës së koronavirusit me varfërinë e krijuar nga ndalimi aktivitetit ekonomik në vend, te sigurimi i mjeteve të domosdoshme të jetesës për shtresat me në nevojë të shoqërisë si dhe mëkëmbjen e sipërmarrjeve me peshë në punësim, në eksport, në prodhimin vendas, etj. nëse do të jetë e nevojshme (dhe mendoj se është e nevojshme) qeveria duhet jo vetëm të ndërpresë kontratat konçesionare në zbatim e sipër, duhet të anulllojë për të njëjtat arsye kontratat e reja të llojit PPP duke shfrytëzuar klauzolat ligjore që lidhen me gjendjen e fatkeqësisë nayrore, por edhe “të korrigjojë shënjestrën” d.m.th të korrigjojë edhe paketen e parë të ndihmës buxhetore me qëllim që mbështetja buxhetore e trumbetuar si mbështetje për biznesin, por me kusht që ky i fundit të marrë kredi në bankë, të destinohet drejtpërdrejt në llogaritë e të punësuarve. Kjo për faktin e thjeshtë se është e pazbatueshme dhe është pa kuptim që të pranohet mbyllja e aktivitetit ekonomik, ndërsa të punësuarit që humbasin vendin e punës do të drejtohen drejt asistencës sociale, drejt qeverisë dhe kështu bëhet evident edhe rreziku i përplasjeve sociale… nëse do të jetë e nevojshme mund të lejohet dhe një rritje e lehtë e inflacionit përmes emetimit të parave, pra rritja e parasë në qarkullim për të mbështetur ekonomine.
A besoni se paketa e ndihmës e prezantuar nga qeveria ka përfshirë gjithë fashën e njerëzve të prekur nga mbyllja e vendeve të punës për shkak të pandemisë? Çfarë i mundon kësaj pakete?
Mendoj se, jo vetëm që mbeshtetja është e vogël, dmth duhet të jepet edhe për muajin në vijim, por edhe nuk duhet lidhur me madhësinë e biznesit. Për më tepër që formalisht cilido që humbet vendin e punës mund dhe duhet t’i drejtohet institutit të sigurimeve shoqërore për të perfituar nga pagesa kalimtare e papunësisë, një fond ky i bazuar në kontributet e vetë të punësuarve. Po kështu, ndihma shtetërore duhet rishikuar për ta rritur edhe për grupe të tjera në nevojë si personat me aftësi të kufizuar, pensionistët, etj.. Dhe nuk është e domosdoshme të jetë vetëm në cash. Fare mirë mund të ishte p.sh. në formën e anullimit të pagesës së TVSH apo pezullimit të pagesës se disa taksave vendore p.sh. taksa për arsimin, etj., si dhe të taksave që lidhen me aktivitetin ekonomik për sa kohë ky aktivitet gjendet i pezulluar.
Çdo shtet sot po përballon vetem pandeminë dhe kjo ka bërë që të nisin parashkimet se si do të ndryshojë bota pas kësaj pandemie? A do të ekzistojnë globalizmi siç e kemi njohur, Bashkimi Europian dhe shumë organizma të tjerë ndërkombëtarë?
Globalizimi është temë e gjerë dhe qysh në përplasjet ekonomike të viteve të fundit midis SHBA dhe Kinës apo SHBA dhe BE ka marrë goditje të forta. Gjithsesi kjo temë do të rikthehet natyrshëm dhe mendoj se do të rifitojë një dimesion të ri. Sa i takon përballimit të fatkeqësive të kësaj natyre, kur kjo të ketë kaluar, mendoj se shtetet federale, supershtetet si BE do të punojnë bashkarisht për të ndërtuar politika të përbashkëta, institucione dhe mekanizma reaguese të harmonizuara për të mos u përsëritur situata e javëve të fundit…arkiva.fjala.al/