Dy ditët e fundit kryeministri Edi Rama është shfaqur në mediat italiane më shumë se sa ka bërë paraqitje homologu i tij, Giuseppe Conte, gjatë dy muajve të luftës me koronavirusin. Shkak për këtë hapësirë në mediat e Italisë u bë vendimi i Ramës për të ndihmuar shtetin fqinj me 30 mjekë.
Gazetarët më të njohur italianë kanë shprehur falenderime për gjestin e qeverisë shqiptare, duke e vlerësuar si një shembull që duhet ndjekur nga shtetet e BE-së.
E në një kohë që Rama po trajtohet si “superstar”, jo të gjithë gazetarët italianë kanë fjalë të mira.
Një prej tyre është Alberto Negri, i cili në gazetën e përditshme ‘Il Quotidiano del Sud’ e quan dinak kryeministrin shqiptar.
“Shumë media italiane e paraqitën si mirësi të shqiptarit Edi Rama faktin që dërgoi 30 mjekë dhe infermierë drejt Italisë për të luftuar koronavirusin. Në fakt bëhët fjalë për një marrëveshje politike dhe ekonomike, dhe nuk është çështje mirësie”, shkruan gazetari Italian.
Sipas Negrit, dërgimi i 30 mjekëve ishte minimumi që mund të bënte (Rama) “për të shfaqur dashamirësi karshi një vendi që mirëpret 500 mijë njerëz që janë themel për ekonomine shqiptare gjithashtu dhe vota elektorale të fituara. Kjo është historia, pjesa tjetër mbetet retorikë.”
Sa i përket shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Itali, gazetari shkruan:
“Sot, sipas të dhënave të ministrisë së Punës, qytetarët me origjinë shqiptare dhe me leje qëndrimi në Itali kapin shifrën 430 mijë.
Me 12 përqindësishit të totalit të prezantuar, grupi më i madh i shqiptarëve jetojnë mes Lombardisë, Emilias dhe Toskanës.
Sa i përket punësimit, pjesa dërrmuese e shqiptarëve punojnë në sektorin e industrisë, 47 përqind; në bujqësi dhe në ndërtim.
Pra, shqiptarët japin një kontribut me vlerë për Italinë, janë shumë më të “mirë” se sa kryeministri i tyre Edi Rama që “mbështetet” tek ata.”