Eksperti i ekonomisë Pano Soko në një intervistë për gazetën Fjala bën analizën e pasojave të epidemisë në ekonomi dhe i jep përgjigje pyetjes nëse izolimi do të shkatërrojë ekonominë. Ai ka vërejtje për masat ekstreme të marra nga qeveria shqiptare duke krahasuar dhe me vende të tjera dhe thotë se “na duhet të gjejmë rrugë që na lë mundësi që të mbajmë gjallë dhe atë ekonomi të varfër që kemi, se përndryshe, nëse i shpëtojmë shqiptarët nga Covid dhe na vdesin nga varfëria apo destabiliteti social, ku është ndryshimi?”.
Intervistoi: Blerina Gjoka
Kur kanë kaluar disa javë që shumica e vendeve janë futur në një sistem karantine, alarmi që po ngrenë shumë ekonomistë lidhet me krizën e pritshme që do të kaplojë botën, duke nisur nga humbja e miliona vendeve të punës dhe falimentimi i ndërmarrjeve. Sa vjen e bëhet më e fortë dilema; nëse duhet të vijohet karantina për hir të shëndetit duke rrezikuar keq ekonominë? Sa etike është kjo dilemë dhe si po e zgjidhin vendet e zhvilluara?
Është ekzaktësisht siç e artikuloni ju. Shumë shpejt kriza ekonomike do ta parakalojë pandeminë si për nga ashpërsia dhe për nga përmasat. Problemi kryesor që rezulton është mbyllja e bizneseve dhe humbja e vendeve të punës. Jo më kot të gjitha vendet e zhvilluara rezistuan deri në fund për të mos stopuar totalisht jetën ekonomike në vend se e dinin çfarë i priste më pas. Ato u munduan që të gjenin një të mesme të perpjesshme mes zgjidhjes së çështjes së pandemisë dhe mos shkatërrimin e ekonomisë.
A është etik ky diskutim? Patjetër që është etik. Në të dyja rastet flitet për jetë njerëzish. Pandemia më e rrezikshme e shekullit XX ishte gripi spanjoll që vrau 50 milion njerëz. Kriza ekonomike e ’29-30 vrau gati 100 milionë njerëz, duke futur dhe Luftën II Botërore, e cila erdhi si pasojë e kësaj krize. Pra diskutimi botëror mbi ruajtjen nga rreziku epidemik është njëlloj i vlefshëm me ruajtjen nga rreziku i një krize ekonomike që ka pasoja sociale. Dhe kriza botërore në horizont i ka të gjitha premisat të shoqërohet me destabilizim social në shumë vende. Aty ku papunësia rritet eksponencialisht, në të njëjtën përmasē destabilizohet dhe situata.
A ekziston dhe në Shqipëri kjo dilemë dhe çfarë duhet të bëjë qeveria në javët në vazhdim për të ndalur rrënimin ekonomik?
Patjetër që kjo dilemë ekziston dhe në Shqipëri. Madje Shqipëria si vend me një ekonomi dhe buxhet të dobët rrezikon shumë më tepër dhe bëhet e prekshme shumë më lehtë nga kriza ekonomike se vendet e zhvilluara.
I gjithë problemi lind në mënyrën sesi menaxhojmë krizën. Ne nuk jemi vend i pasur që të zgjedhim metodën drastike të karantinimit absolut, duke mbyllur biznese dhe duke u mbyllur në shtëpi sa të ikë virusi. Katari, EBA, Norvegjia, Suedia ia lejojnë vetes t’i mbyllin çdo gjë për një muaj sa të ikë virusi, sepse janë mjaftueshmërisht të pasura për të paguar qytetarët për të ardhurat e munguara dhe bizneseve t’iu kompensojnë kostot e karantinës, duke vijuar jetën normalisht pasi mbaron çdo gjë. Ne jemi vend i varfër. Duhet të luajmë zgjuar, sepse s’kemi luksin ndryshe. Na duhet të gjejmë rrugë që na lë mundësi që të mbajmë gjallë dhe atë ekonomi të varfër që kemi, se përndryshe, nëse i shpëtojmë shqiptarët nga Covid dhe na vdesin nga varfëria apo destabiliteti social, kush është ndryshimi.
Ne duhet të ndërtojmë një strategji që mbron nga virusi me sa më pak kosto ekonomike. Për shembull, vendosja e fashave orare dhe mbyllja me shtetrrethim e lëvizjes është një vendim i gabuar që duhet hequr. E para, sepse nga pikpamja e epidemisë, nuk ka rëndësi se sa orë rrinë njerëzit brenda, e rëndësishme është si sillen orët që janë jashtë. Ti mund t’i mbyllësh 23 orë brenda, nëse njerëzit nuk zbatojnë rregullat e distancimit social në orën e liridaljes, të shpërndahet virusi dhe të hidhet në erë çdo gjë. Ne rrimë të mbyllur në shtëpi 2/3 e ditës, duke paralizuar pothuajse gjithe aktivitetin ekonomik, çdo blerje, çdo biznes, përveç atyre ushqimoreve. Ndërkohë që kjo s’ndikon tek shpërndarja e virusit, kjo vret pafundësisht ekonominë. Sepse nuk lë hapësirë që njerëzit të kryejnë aktivitet.
Apo mbyllja e bizneseve me detyrim. Nuk është zgjidhje. Nëse njerëzit sillen jashtë rregullave, si nëse i lejon hapur kafenetë, berberanet, si nëse i mbyll, virusi njëlloj shpërndahet. I vetmi ndryshim është fakti që ajo industri është mbyllur dhe njerëzit kanë mbetur pa punë, se s’është se ke frenuar ndonjë gjë në lidhje me virusin.
Prandaj dhe ky kufizimi i bizneseve duhet hequr. Ah, jam dakord që çdo biznes duhet të respektojë rigorozisht rregullat e distancimit social, të higjenës etj.. Por jo të mbyllet. Askush.
Shqipëria s’e ka luksin të marrë masa kaq drastike, sa ç’po aplikon sot. Duhet të përpiqemi mos mbysim ekonominë.
A besoni se paketa e ndihmës e prezantuar nga qeveria ka përfshirë gjithë fashën e njerëzve të prekur nga mbyllja e vendeve të punës për shkak të pandemisë? Çfarë i mundon kësaj pakete?
Qeveria e ka deklaruar që do të ndihmojë vetëm të punësuarit e biznesit të vogël dhe ata me ndihmë ekonomike. Thjesht këta. As puntorët e biznesit të madh, dhe as bizneset vetë. Pra kuptohet lehtësisht që kjo është fare e paplotë. Është një paketë sociale që ndihmon deri diku të punësuarit, por s’ka asnjë lehtësim për biznesin. Kryeministri u tregua i prerë kur tha që taksat dhe uji do të paguhen të plota, pavarësisht krizës. Po nga ana tjetër bizneset kanë qera për të paguar. Pra përfundimisht unë e quaj një paketë sociale, por jo një paketë ekonomike.
Kjo paketë duhet të ishte më gjithëpërfshirëse. E para mbi ata qindra mijëra punonjës të biznesit të madh që duhen ndihmuar. Mekanizmi i garancisë sovrane është pa vlerë. Më thoni kush është ai që merr kredi në kohë krize? E aq më tepër për të paguar punëtorët, se nëse do të ishte për ndonjë investim që do prodhojë të ardhura nesër dhe mund të mendohej. Po të marrësh kredi për të paguar rroga në një kohë kur ti s’ke bërë asnjë lek punë të ardhur…nuk e di a do të ishte njeri i gatshëm ta bënte, por unë dyshoj fort.
Çdo shtet sot po përballon vetem pandeminë dhe kjo ka bërë që të nisin parashkimet se si do të ndryshojë bota pas kësaj pandemie? A do të ekzistojnë globalizmi siç e kemi njohur, Bashkimi Europian dhe shumë organizma të tjerë ndërkombëtarë?
Që kjo pandemi do të ndryshojë stilin e funksionimit të shoqërisë në rang global, kjo është pak por e sigurtë. Vendet do të fillojnë të jenë më sovrane, sidomos në kontekstin ekonomik dhe natyrisht kjo mund të përkthehet dhe në një ristrukturim të gjithë arkitekturës në marrëdhëniet gjeopolitike. Gjithsesi thellësia e këtyre ndryshimeve varet shumë nga impakti ekonomik. Impakti ekonomik nga krahu tjetër varet shumë nga kohëzgjatja e krizës. Nëse kriza nuk e kalon Majin (po flas për Europën jo Shqipërinë) atëherë paketat e stimujve të programuara do të arrijnë të korrektojnë humbjet dhe natyrisht impakti do të jetë i izoluar dhe afatshkurtër. Nëse pastaj kjo krizë zgjat përtej Qershorit, skenari do të jetë tragjik, jo vetëm në pikpamje të normave të sjelljes ekonomike e politike, por ndoshta dhe shumë më tej se kaq. Përplasje mes shtetesh, turma të uritura, papunësi në masë, diku inflacion në qiell.. Krizat e mëdha prodhojnë tragjedi të mëdha. Shpresojmë që ky të mos jetë rasti.arkiva.fjala.al/