Nga Erl Kodra
Nuk e kam shok, as e njoh, as më njeh. Po me Beratin ska nevojë për formalitete të tilla.
Më kujtohet një intervistë e Vjosa Osmanit në Presing, përgjatë kohës që po bisedohej për krijimin e Qeverisë Kurti. Ishte hera e parë që e ndiqja me vëmendje një intervistë të Znj. Osmani. Sinqerisht unë u impresionova nga gjithçka që ajo tha; megjithatë, herë herë ndjehej njëlloj përgjërimi në fjalë dhe portret; gati si lutje e saj për Albin Kurtin dhe Isa Mustafën që të arrihej marrëveshja për krijimin e qeverisë.
Pas rreth 4 muajve marrëveshja u arrit; Qeveria Kurti mori jetë në Parlamentin e ri të Kosovës. Këtu nuk po përmend për arsye që dihen të gjitha peripecitë e krijimit të kësaj qeverie, megjithatë, që në atë kohë ky lloj hezitimi dhe vuajtje për të jetësuar një marrëveshje, mua më la një shije të keqe, por edhe dyshime të forta: pse?! Qysh munden dy burra të mbajnë pezull fatet e vendit të tyre?
Berat Buzhala është një ndër njerëzit më të rëndësishëm të Kosovës. Mund të mendoni se unë jam fans i tij, ose kushedi se çfarë mund të mendoni tjetër, por ju siguroj se asgjë në botë nuk më lidhë me atë “veshllapush”. Thjeshtë, e shoh se ai djalë ka arritë me ngritë një media me shumë ndikim, tashmë jo vetëm në Kosovë.
Editorialet e Beratit janë ndër më brilantet në gazetarinë shqiptare. Sepse, përdreq ai djalë i ri është pa asnjë kompleks, krejt i padrojë, fort mendjehapur, dhe mbi të gjitha, Berat Buzhala ka stil. Nejse, se fjala është diku tjetër.
Berati e njeh pak Shqipërinë. Domethënë, ai mundet t’a njohë Kosovën perfekt, por po nuk e njohu Shqipërinë, nuk është e mundur të njohë Kosovën. Kështu, këshilla ime e parë për Beratin është të njohë më mirë Shqipërinë. Me këtë dua të them, se ai e ka të domosdoshme të njohë më shumë se Andi Bushatin, Armend Shkullakun, Blend Fevziun, Eni Vasilin dhe Sokol Ballën. Berati duhet të njohë më mirë edhe Historinë e Shqipërisë, jo historinë zyrtare, por atë të vërtetën, që nuk e hala nuk është shkruar.
Vetëm pas kësaj njohje, Berati do të jetë në gjendje të kuptojë se çka do të thotë, çka përfaqëson, çka është, dhe çka do të jetë “e majta shqiptare” në Shqipëri dhe Kosovë.
Mundem që të përmend pa luajt vendit një mal me krime monstruoze; mundem me evidentoj me fakte historike tradhëtinë e interesave kombëtare nga komunistët shqiptarë, por gjithsesi, nuk do të ishte e mjaftueshme të dekriptoj të majtën e sotme në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo sepse rrethanat historike kanë ndryshuar, por jo edhe shpirti i keq i të majtëve.
Ata nuk munden të vrasin brutalisht si dikur, por munden të sheshin sapunin për djathë, duke mashtruar po brutalisht njerëzinë, me fjalë që frangullijnë si yje.
Të majtët jetojnë nga konflikti. Ata nuk kanë nevojë për arsye, për shkaqe, për fakte; sepse ata e gjejnë gjithmonë sebepin. Si të thuash, të majtët jetojnë nga e keqja, sepse e keqja është ushqimi i tyre i përditshëm. Edhe kur nuk kanë, ata i shpikin armiqtë dhe kauzat. Në një kohë paralele, domethënë në kohën e dreqit (Enver Hoxhës), të majtët tanë do të thernin njëri tjetrin si derrat.
Në një kohë tjetër, Albin Kurtin do ta shikojë të lyer me gjak deri në brryla.
Berat Buzhalën, me siguri do t’a kishte rrjepë të gjallë. Pa pikë mëshire.
Të majtët të përdorin keq, ata përdorin varfërinë e madhe, sëmundjet, nivelin ekonomik, punët që nuk shkojnë mirë. Të majtët instrumentalizojnë gjithçka që lëvizë mbi faqe të dheut.
Të majtët shqiptarë hiqen edhe nacionalista të mëdhenj. Aq shumë i mëshojnë nacionalizmit, sa mendjet e thjeshta kujtojnë se po shohin do heronjë që flasin, të aftë të kthehen në statuja mermeri për tokën shqiptare.
Të majtët shqiptarë nuk thonë kurrë të vërtetën, madje, ata e dredhin kaq shpesh fjalën, sa u është bërë lëkura si zhguall bualli. Kurrë nuk mund të gjendet ndër të majtën tonë ndonjë syresh që ka kërkuar falje për mungesë koherence.
Ata e zgjidhin lehtësisht punën; rrejnë sy për sy, pa marre.
Berat Buzhala, tash po të drejtohem drejt,
Ti e ke mbështetë Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin. Që të jem i drejtë, ti e ke mbështetë Vjosën, por meqenëse ata (LDK dhe LVV) kishin shpallë paraprakisht se do të bëjnë koalicion, unë e kuptoj mbështetjen tënde. Megjithatë, unë kam qenë skeptik për Albin Kurtin. Nuk e kam besuar asnjëherë.
Është e panevojshme të futem në detaje të atyre zhvillimeve që ti i di më mirë se unë; por këto ditë po mendoja;
Qysh është e mundur që ky njeri të qaset me kaq mjeshtëri djallëzore një populli të vuajtur, dhe të mos pikaset në kohë aventura e tij me Republikën e Kosovës?
Qysh mund të gabohet kaq fatalisht, e t’i lëshohen në dorë fatet e kombit një djalli si Albin Kurti?
Mundem të shkruaj shumë më shumë, por sonte mjafton, duke e mbyllur me një thënie të Presidentit Ronald Reagan:
“Si e kuptoni një komunist?
– Epo, është dikush që lexon Marksin dhe Leninin.
– Dhe si e kuptoni një antikomunist?
– Epo, është dikush që i kupton Marksin dhe Leninin. ”
Epo, ti Berat Buzhala e kupton Marksin dhe Leninin.