Ritmi i përditshëm i shfaqjes së rasteve të reja të të infektuarve me koronavirus dhe vdekjeve, është ngadalësuar ditën e sotme në Spanjë, ndërkohë që pritet një dalje për media e kryeministrit Pedro Sançez, për të njoftuar zgjatjen e masave të izolimit, që kanë mbyllur prej 3 javësh shumicën e spanjollëve në shtëpitë e tyre.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve, arriti sot në 11.744, i dyti më i lartë në botë, nga 10.935 që ishte një ditë më parë, deklaroi Ministria e Shëndetësisë, duke paraqitur një rënie prej 7 për qind të numrit total të vdekjeve, pas një rritje që pati ditën e premte, ku numri total i vdekjeve ishte 9 për qind.
Kjo është më pak se gjysma e ritmit të rritjes rreth 20 për qind, e regjistruar një javë më parë. Në total 809 njerëz vdiqën nga virusi gjatë 24 orëve të fundit, referuar shifrave përgjatë së premtes 932, dhe të enjten 950. Ndërkohë, numri i përgjithshëm i të infektuarve u rrit në 124.736 ditën e sotme, nga 117.710 që ishte një ditë më parë, kur Spanja e tejkaloi Italinë për nga numri i përgjithshëm i rasteve të reja të prekur me koronavirus.
Disa nga vendet turistike më të famshme të Madridit, si “Royal Palace” dhe “Las Ventas”, mbajtën 1 minutë heshtje të shtunën, teksa spanjollët janë në javën e katërt të një prej karantinave izolimet më të rrepta në Evropë.
Vetëm punonjësit që punojnë në sektorët thelbësorë siç është shëndetësia, janë të lirë të udhëtojnë për në punë dhe të kthehen nga puna. Restorantet, baret dhe dyqanet janë mbyllur, ndërsa tubimet shoqërore janë të ndaluara.
Gjatë një konfernce për mediat ditën e premte, Ministri i Shëndetësisë Salvador Illa tha se kryeministri Sançez do t’i ftonte liderët e opozitës të merrnin pjesë ditën e sotme në një takim të task-forcës për koronavirusin, për t’i njohur ata me vendimin e marrë prej tij për zgjatjen e masave të izolimit deri më 13 prill. Zyrtarët e shëndetësisë, thanë se rënia e rasteve të reja me koronavirus, dëshmon efektivitetin që kanë pasur masat e izolimit në vend./Përgatiti nga Francë 24 për arkiva.fjala.al/, S.Tresa