Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shprehur shqetësimin mbi situatën e qytetarëve shqiptarë të cilët vijojnë ende të bllokuar në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës dhe Kapshticës. Presidenti kërkon zgjidhje të menjëhershme të situatës dhe thekson se autoritetet përgjegjëse duhet të respektojnë detyrimet kushtetuese ndaj qytetarëve të vet.
Me dhjetëra qytetarë po qëndrojnë në rrugë prej ditësh, të bllokuar në zonën neutral midis Shqipërisë dhe Greqisë pasi autoritetet shqiptare nuk i lejojnë të kalojnë kufirin.
Reagimi i Presidentit
Jam shumë i shqetësuar mbi situatën e qytetarëve shqiptarë të cilët vijojnë ende të bllokuar në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës dhe Kapshticës.
Kjo situatë duhet të marrë zgjidhje të menjëhershme.
U bëj thirrje sërish të gjithë qytetarëve shqiptarë të respektojnë kushtet e urgjencës dhe domosdoshmërisë të imponuara nga pandemia e COVID-19 në pikat tona kufitare e njëkohësisht kërkoj nga autoritetet tona përgjegjëse të respektojnë, jo vetëm kërkesat e situatës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por edhe detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare që shteti ka ndaj qytetarëve të vet në një situatë të tillë.
Edhe njëherë kërkoj nga të gjithë më shumë bashkëpunim e mirëkuptim, solidaritet e përgjegjësi mes qyetarëve dhe autoriteteve tona në dobi të interesit publik dhe sigurisë së jetës.