Ndërsa pandemia e koronavirusit ka përfshirë të gjithë Shtetet e Bashkuara, duket se ky virus po infekton dhe vret një shkallë të lartë disproporcionale amerikanët e zinj, sipas një analize në “The Washington Post”, bazuar në të dhënat zyrtare që janë marrë në të gjithë vendin.
Pabarazia e ashpër raciale që po vihet re tani, bëri që ekspertët të pranojnë të martën në mënyrë të nënkuptuar, rrezikun më të lartë për afro-amerikanët. Dhe kjo në mesin e kërkesave në rritje nga opinioni publik, që zyrtarët e shëndetit publik të publikojnë më shumë të dhëna mbi racën e atyre që janë të sëmurë, shtruar në spital, apo që po vdesin nga një pandemic, e cila deri tani ka vrarë më shumë se 12.000 njerëz në Shtetet e Bashkuara.
Një analizë e të dhënave në dispozicion, tregon se zonat që banohen në shumicë nga zezakët kanë 3-fishin e nivelit të infektimeve, dhe thuajse një normë 6 herë më të lartë të vdekjeve, sesa në zonat e banuara në shumicë nga bardhët.
Në qarkun Milluoki, ku ndodhet qyteti më i madh i shtetit të Uinkonsinit, afro-amerikanët përbëjnë rreth 70 për qind të të vdekurve, por vetëm 26 përqind të popullsisë. Një pabarazi e ngjashme vërehet edhe në Luiziana, ku 70 përqind e njerëzve që kanë vdekur janë zezakë, edhe pse afro-amerikanët aty përbëjnë vetëm 32 përqind të popullsisë së shtetit.
Në Miçigan, ku deri tani ka pasur 845 të vdekje, afro-amerikanët përbëjnë 33 për qind të rasteve dhe afërsisht 40 për qind të vdekjeve, pavarësisht se përbëjnë vetëm 14 për qind të popullsisë të përgjithshme. Presidenti Donald Trump, pranoi publikisht për herë të parë pabarazinë racore në konferencën e përditshme që po mban këto kohë nga Shtëpia e Bardhë.
“Ne po bëjmë gjithçka që kemi në dorë për ta adresuar këtë sfidë, e cila është e jashtëzakonshme. Situata është e tmerrshme”- theksoi ai. Ai shtoi se Entoni Fauçi, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, po analizon me vëmendje të dhënat.
“Pse numri i viktimave është 3-4 herë më i lartë tek komuniteti afro-amerikan, në krahasim me njerëzit e tjerë? Kjo pyetje nuk ka kuptim, dhe nuk më pëlqen aspak. Ne do të kemi statistika të plota pas 2-3 ditësh”-deklaroi ai.
Ndërkohë, të dhëna të hollësishme mbi racën e pacientëve të prekur nga koronavirusi, janë raportuar publikisht në më pak se një duzinë shtetesh dhe disa qarqe. Guvernatori i Luizianës Xhon Eduards, vuri në dukje se njerëzit me probleme shëndetësore, janë më të prekshëm ndaj sëmundjes së re që prek rrugët e frymëmarrjes.
Kriza po hedh dritë mbi atë sesa të papranueshme janë këto pabarazi, deklaroi Fauçi në konferencën e Trump. “Tani nuk mund të bëjmë asgjë tjetër, përveçse të përpiqemi t’u garantojmë afro-amerikanëve kujdesin më të mirë të mundshëm, për të shmangur ndërlikimet në shëndetin e tyre”- shtoi ai.
Nga ana e tij Kirurgu i Përgjithshëm, Zherom Adams, 45-vjeç, tha:”Unë vetë kam një sëmundje të zemrës dhe kam kaluar një javë në njësinë e kujdesit intensiv, jam astmatik dhe prediabetik, ndaj përfaqësoj trashëgiminë e rritjes në komunitetin e varfër afro-amerikan të Amerikës”.
Adams shtoi se i vjen shumë keq teksa dëgjon për nivelet më të larta të vdekjes nga Covid-19 në komunitetin e zezakëve, duke ritheksuar rekomandimet për të qëndruar në shtëpi, me qëllim ngadalësimin e përhapjes së pandemisë.
Të hënën, Komiteti i Avokatëve për të Drejtat Civile Sipas Ligjit dhe qindra mjekë, iu bashkuan një grupi ligjvënësish demokratë, përfshirë senatoret Elizabet Uorren, Kory Buker dhe Kamala Herris, që kërkuan nga qeveria federale të bëjë publike të dhëna mbi racën dhe etninë e pacientëve dhe koronavirus.
Deri më tani, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kanë publikuar vetëm të dhëna sipas moshës dhe gjinisë. Ligjvënësit, avokatët dhe profesionistët e mjekësisë, thonë se ky informacion është i nevojshëm për të siguruar që afro-amerikanët dhe njerëzit e tjerë me ngjyrë të kenë një qasje të barabartë në testime dhe trajtim shëndetësor.
Kjo gjë, do të ndihmojë edhe në zhvillimin e një strategjie të shëndetit publik, për të mbrojtur ata që janë më të rrezikuar. Në disa rajone, ligjvënësit po përpiqen të plotësojnë vetë mungesën e të dhënave. Kështu shteti i Virxhinias po raporton ndarjen raciale të rasteve të saj me Covid-19, por jo atë mbi viktimat.
Në Marilendin fqinj, guvernatori Lerri Hogan deklaroi të martën se shteti do të fillojë të publikojë të dhëna mbi racën, një ditë pasi më shumë se 80 anëtarë të Dhomës së Delegatëve i dërguan një letër, duke e kërkuar një informacionin të tillë.
S.T