Nga Jordi Juan – “L’Avanguardia”
Berni Sanders nuk ka dashur ta vazhdojë kalvarin e tij të vuajtjeve në garën e demokratëve për në Shtëpinë e Bardhë, duke i lënë rrugë të lirë Xho Bajdenit që të përballet me Donald Trump në zgjedhjet e planifikuara për në muajin nëntor.
Sanders nuk e mori dot veten pas goditjes që pësoi në garën brenda partisë në Karolinën e Jugut, ku mijëra afro-amerikanë preferuan të mbështesin Bajdenin, gara e të cilit disa javë më parë dukej e destinuar të dështonte.
Vendimi i Sanders e kënaqi establishmentin demokrat, që gjithmonë kishte menduar se ai ishte një kandidat i majtë tepër radikal për t`u përballur me Trumpin. Ndërkohë Me Bajdenin si kandidat zyrtar, ata kanë më shmë besim se mund të arrijnë fitoren, e cila përpara sitatës së krijuar nga koronavirusi dukej si një mision i pamundur.
Por, gabimet dhe gafat që po bën Trump çdo ditë, rreth asaj që ai vetë e ka pagëzuar si “virusi kinez” po shkaktojnë konfuzion tek elektorati e tij, ndërkohë që numri i të vdekurve po rritet në mënyrë të pakontrollueshme në të gjitha shtetet e SHBA-së.
Stili i Trumpit, është ai i kundërvënies ndaj të gjithëve dhe gjithçkaje që mund t’i shërbejë atij. Por situata ekonomike, duket se nuk është në favor të tij, pasi për shkak të pandemisë vetëm në 2 javë 10 milionë njerëz kanë mbetur të papunë, duke bërë kështu që ironitë e përdorura prej tij disa kohë më parë, t’i kthehen tani kundër.
Bajden, sigurisht i mirëkëshilluar, e mori shumë seriozisht që në fillim kërcënimin që mund të vinte prej koronavirusit, duke kujtuar ndërhyrjen e tij me tone serioze dhe paralajmëruese për rrezikun që mund të prekte Amerikën, ndërsa Trump i përgjigjej nëpërmjet Tuiterit me zakonin e përhershëm të kundërvënies ndaj më të dobëtit, që ishte i shqetësuar për virusin.
Deklarata e tij e parë serioze për pandeminë, u bë vetëm në fund të shkurtit, duke e shpërfillur situatën, dhe duke thënë se niveli i përhapjes së virusit në vendin e tij ishte “shumë i ulët”. Nëse konfirmohen pritshmëritë e epidemiologëve, virusi do të shkaktojë një shkallë jashtëzakonisht të lartë të vdekshmërisë, kjo gjë do të rrezikojë seriozisht pozitën e Trumpit.
Tani për tani, ai po përpiqet të shfaqet si një udhëheqës i shqetësuar për pandeminë, duke dalë në konferenca të përditshme për shtyp, lidhur me gjendjen e pandemisë në SHBA. Por arkivat e gazetave tregojnë të kundërtën, dhe muajt e ardhshëm nuk do të jenë aspak të këndshëm për ekipin e tij në Shtëpinë e Bardhë. Trump ka tashmë një rival në zgjedhjet presidenciale. Por me siguri armiku i tij kryesor nuk do të jetë Bajden, por keq menaxhimi që ai i ka bërë situatës së krijuar nga pandemia.
S.T