Kriza e shkaktuar nga përhapja e koronavirusit, që deri tani ka vrarë më shumë se 88.000 njerëz dhe ka shkatërruar ekonomitë në mbarë botën, mund të zhysë në varfëri rreth gjysmë miliardë njerëz. Kështu raporti të enjten Oxfam, konfederata e 19 organizatave bamirëse të pavarura të fokusuara në zbutjen e varfërisë globale.
Raporti i publikuar përpara takimit vjetor të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore javën e ardhshme, llogariti ndikimin e krizës në varfërinë globale për shkak të tkurrjes së të ardhurave shtëpiake apo konsumit. “Kriza ekonomike, që po përhapet me shpejtësi është më e thellë se kriza globale financiare e vitit 2008”- vë në pah raporti.
“Vlerësimet tregojnë se pavarësisht skenarëve, varfëria globale mund të rritet ndjeshëm, për herë të parë që prej viti 1990”- thuhet më tej në raport, duke shtuar më tej se kjo situatë mund t’i rikthejë disa vende përsëri në nivelet e varfërisë, gjë që për herë të fundit ka ndodhur 3 dekada më parë.
Autorët e raportit morën në referencë disa skenarë, duke iu referuar disa kategorive të ndryshme të varfërisë të Bankës Botërore, deri tek varfëria ekstreme, që përkufizohet si jetesa me 1.9 dollarë në ditë ose më më pak, dhe deri tek varfëria me relative, ku përfshihen ata që jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë.
Sipas skenarit më të keq, do të ketë një tkurrje me 20 për qind të të ardhurave, numri i njerëzve që jetojnë në varfëri ekstreme do të rritet me 434 milionë njerëz, dhe numri total në të gjithë botën do të shkojë në 922 milionë.
Në të njëjtin skenar, parashikohet që numri i njerëzve që jetojnë nën pragun e 5.5 dollarëve në ditë, do të rritet me 548 milion njerëz, dhe do të arrijë në afro 4 miliardë. Gratë janë më të rrezikuara se burrat, pasi ka më shumë gjasa që ato të punojnë në ekonomitë informale me pak ose aspak të drejta në vendin e punës.
“Kohë pas kohe, njerëzit e varfër nuk kanë mundësi që të kërkojnë punë, apo të marrin masa”- shpjegon raporti, duke shtuar se më shumë se 2 miliardë punëtorë të sektorit informal në të gjithë botën, nuk kanë siguracione shëndetësore.
Javën e kaluar, Banka Botërore deklaroi se varfëria në Azinë Lindore dhe në rajonin e Paqësorit mund të prekë 11 milionë njerëz, nëse situata aktuale do të përkeqësohet. Për të ndihmuar në zbutjen e pasojave të ndikimit të pandemisë, Oxfam propozoi një plan veprimi prej 6 pikash
që parashikon shpërndarjen e granteve, dhe ndihmave të tjera financiare për njerëzit dhe bizneset në nevojë, dhe gjithashtu bëri thirrje për anulimin e borxheve, për më shumë mbështetje për FMN-në, dhe për ndihmë të shtuar.
Taksimi i pasurisë, fitimet e jashtëzakonshme dhe produktet financiare spekulative do të ndihmonin në mbledhjen e fondeve të nevojshme, shtoi Oxfam. Thirrjet për lehtësimin e borxhit janë shtuar javët e fundit, ndërsa pasojat nga pandemia COVID-19 kanë tronditur të gjitha vendet në zhvillim në të gjithë botën.
Në total, qeveritë në të gjithë botën do të duhet të vërë në dizpozicion të paktën 2.5 trilionë dollarë për të mbështetur vendet në zhvillim. “Vendet e pasura, kanë treguar se në këtë kohë të krizës ata mund të vënë në dipozicion triliona dollarë për të mbështetur ekonomitë e tyre”- thuhet në raport.
Megjithatë, raporti thekson se nëse vendet në zhvillim nuk do të jenë në gjendje të përballojnë pasojat shëndetësore dhe ekonomike, kriza do të vazhdojë, dhe ajo do të shkaktojë dëme edhe më të mëdha për të gjitha vendet, të pasura dhe të varfra.
S.T