Kopshtet zoologjike në Europë aktualisht ndodhen në vështirësi në sajë të pandemisë Covid-19.
Drejtoresha e kopshtit zoologjik Neumünster, qytetit gjerman me 80 mijë banorë dhe rreth 70 km në veri të Hamburgut, deklaron se është menduar vrasja e disa kafshëve për të ushqyer disa të tjerë, kjo për mbijetesë.
“Ne kemi bërë tashmë një listë të kafshëve që mund të detyrohemi t’i vrasim së pari”-shprehet Verena Kasperi për gazetën Die Welt. “Do të ishte një zgjidhje shumë e pakëndshme, por edhe kjo nuk do të zgjidhë situatën tonë financiare”-vijon më tej ajo.
Kopshti Zoologjik Neumünster i përket një fondacioni privat që nuk bën pjesë në ndihmën emergjente shtetërore për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Mungesa e vizitorëve, veçanërisht gjatë ditëve të Pashkëve, shkaktoi një humbje të vlerësuar prej 175 mijë eurosh vetëm në pranverë.
“Fokat dhe pinguinët hanë çdo ditë një sasi të madhe peshku të freskët”-sqaron Kasperi. “Nëse do të arrinim në pikën e kthimit, më mirë t’i kalojmë në eutanazi, se sa t’i lëmë të vdesim nga uria.”
Me një situatë të tillë nuk po haset vetëm kopshti zoologjik Neumünster.

Kopshte të tjera zoologjike i kanë kërkuar qeverisë gjermane një ndihmë prej 100 milion euro, sipas agjencisë DPA.
Shoqata që i bashkon ata (Vdz) shpjegon se kafshët duhet të ushqehen dhe trajtohen çdo ditë, edhe nëse kopshtet zoologjike janë të mbyllura. Përveç kësaj, kafshët që jetojnë në mjedise tropikale duhet të mbahen në një temperaturë prej të paktën 20 gradë, gjë që sjell kosto të tjera për ngrohje.
Sipas Jörg Junhold, sekretar i Vdz, humbjet e një kopshti zoologjik mesatar gjerman shkojnë deri në 500 mijë euro në javë.
Me 1 prill, 70 përqind e stafit të kopshtit zoologjik të Vjenës është larguar përkohësisht për të qendruar në shtëpi, për t’u rimbursuar më pas nga shteti.
Philine Hachmeister, zëdhënëse e kopshtit zoologjik të Berlinit, thotë se disa kafshë gjithashtu janë duke kaluar pasojat psikologjike të mbylljes.
“Majmunët e duan shumë vëmendjen dhe kontaktin e vizitorëve, ndërsa fokat dhe papagallët argëtohen shumë me njerëzit: tani është vërtet e mërzitshme për ta”-shprehet ajo.

arkiva.fjala.al/