Pandemia e koronavirusit duket se ia ka lehtësuar paksa punën mashtruesve profesionistë, të cilët po përfitojnë nga situata për të bërë mashtrime përmes teknologjisë.
Mafiozët shqiptarë kanë gjetur një rrugë më të shkurtër për të përfituar. Përmes mashtrimeve në internet, apo telefonave ata kërkojnë para, për të sjellë nga Italia, Amerika, Greqia, Gjermania apo edhe vende të tjera shqiptarët që kanë humbur jetën për shkak të koronavirusit.
Në emër të kthimit të trupave në atdhe, mashtruesit gjejnë rrugën e shkurtër të përfitimit. Një ekspert i krimit kibernetik në Policinë e Shtetit tha për Gazetën Shqip, se ka shumë raste të dyshuara për këtë taktikë të mafiozëve shqiptarëve, apo mashtruesve.
Ai shkon edhe më tej, teksa thotë se ka një tjetër grup personash që abuzojnë me çmimet, fakt që e lidh me agjencitë funerale, ose mashtrues që lidhen me këto agjenci dhe vetëdeklarohen sekserë.
Ka raste që bëhet fjalë për shuma të frikshme që tejkalojnë edhe 20 mijë euro, në rastet e mbërritjes nga Italia të një viktime shqiptare që ka humbur betejën me Covid 19.
Dhe kur mendon se zgjidhje të tjera në këtë kohë janë të kufizuara, ose mungesa e informacionit nga institucionet thuajse nuk mund të sigurohet në kohë, ka shumë që e pranojnë një gjë të tillë.
“Nuk ka pasur denoncime edhe për shkak të situatës së karantinës, apo izolimit, por hetime në rrugë operative janë duke u kryer dhe në përfundim të tyre do të ketë një rezultat konkret” – tha një zyrtar i lartë i Policisë. Sipas tij, të gjitha strukturat e Policisë janë në gatishmëri të plotë me situatën, përfshirë edhe ato të krimit kibernetik, apo agjentët e Policisë Kriminale.
E njëjta mënyrë përdoret edhe përmes e-mail që pretendojnë të jenë nga autoritetet shëndetësore kombëtare ose globale, me qëllim që të mashtrojnë të japin letrat kredenciale personale ose detaje pagese dhe në përfundim të tyre përfitojnë shumë marramendëse.