Më 8 mars 2020, Shqipëria konfirmoi dy rastet e para me Koronavirus, babë e bir, të cilët kishin kthyer nga Italia. Në të njëjtën ditë, qeveria ndaloi të gjitha fluturimet dhe tragetet që vinin nga zona veriore e Italisë. Dy ditë më pas, të gjithë qytetarët u njoftuan se vendi do të izolohej për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Atyre iu bë thirrje që të respektonin masat e distancimit social, dhe të kujdeseshin për higjienën personale. Pasi kanë kaluar 40 ditët e karantinës dhe pasi është arritur piku i përhapjes së pandemisë, sipas Institutit të Shëndetit Publik në Shqipëri përgjatë 24 orëve të fundit nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 14 raste pozitive me Covid-19. Nga rastet e reja 7 i përkasin Krujës, 5 raste në Tiranë, 2 raste në Shkodër. Por si e vlerësojnë situatën e paraqitur ekspertët? Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti në një lidhje me Skype me “News 24”, tha se kurba e virusit po vijon të jetë e sheshtë, ç’ka na jep më shumë shpresë se edhe masat do të zbuten më tej.
“Ne kishim informacione që Shqipëria nuk do shfaqte fatin e keq të Italisë për shkak të karakteristikave të popullsisë sonë, pamë që ajo valë nuk erdhi kurrë, por erdhi diçka e butë me shifra të rrafshëta. Kapacitetet spitalore ekzistojnë, si rrjedhojë kjo na jep shpresë dhe informacion të vlefshëm mbi ecurinë e kësaj sëmundje, ndaj edhe Shqipëria e shumë shtete të tjera po shkojnë drejt lehtësimit të masave”- tha ai. Duke qenë se nga dita e sotme masat do të fillojnë të lehtësohen, dhe pritet të ketë lëvizje më masive të qytetarëve, mjeku sqaron më tej nëse përbën rrezik dalja masive e qytetarëve në të njëjtin orar: “Nëse pas 4 apo 5 ditësh shtohet numri i të sëmurëve, atëherë duket se kjo është nga liria e kësaj jave. Për ta marrë virusin nevojiten pak kohë”- tha ai. Sipas ekspertëve të ISHP-së, deri më tani situata është menaxhuar mjaft mirë. Sipas tyre numri i të shëruarve është më i lartë se sa numri i atyre që kanë ndërruar jetë, duke theksuar se stafet mjekësore dhe kapacitetet spitalore, e kanë përballuar me sukses situatën e krijuar.
Kur do të kemi një vaksinë kundër COVID-19?
Prej gati 2 muajsh pandemia e Covid-19, ka vrarë qindra mijëra njerëz, ka infektuar miliona, ka izoluar nëpër shtëpi miliarda të tjerë, dhe ka futur në krizë ekonominë globale. Të gjithë pyesin se ku do të mbarojë i gjithë ky makth.
Përtej respektimit të masave të distancimit social, ekspertët bien njëzëri dakord mbi një fakt:jeta do të rikthehet në normalitet vetëm pasi të jemi vaksinuar kundër koronavirusit të ri. Pasi shkencëtarët kinezë, publikuan sekuencën e plotë gjenetike të koronavirusit Sars-Cov-2 që shkaktoi pandeminë Covid-19, institucionet kërkimore në të gjithë botën filluan një garë të ethshme për gjetjen e një vaksine. Në këtë garë janë mbi 115 kompani farmaceutike, dhe deri tani sipas OBSH ka 70 vaksina kandidate në zhvillim e sipër. Prej tyre vetëm 3 po testohen aktualisht tek një grup vullnetarësh. Kompania kineze “CanSino”, në partneritet me Institutin e Bioteknologjisë në Pekin, është më përpara se të tjerët, me vaksinën e vetme kandidate, që ndodhet aktualisht në fazën e dytë të testit. Ndërkohë edhe dy kompanitë amerikane “Moderna” dhe “Inovio Pharmaceuticals”, po testojnë 2 vaksinat e tyre te njerëzit, dhe që të dyja ndodhen aktualisht në fazën e parë. Disa nga vaksinat, synojnë të provokojnë një përgjigje imune te njerëzit e vaksinuar, duke futur një virus të dobësuar ose të vdekur SARS-CoV-2 ose pjesë të virusit në trupat e tyre. Kjo qasje përdoret për prodhimin e vaksinave kundër fruthit, gripit, hepatitit B dhe viruseve të ndryshme. Ky proces mund të zgjasë 3-6 muaj. Por duke pasur parasysh krizën aktuale, disa kompani kanë zgjedhur një qasje më të shpejtë. Për shembull, disa studiues po përdorin një molekulë gjenetike të quajtur ARNi si bazën e vaksinës. Sipas këtij modelit, vaksina duhet të nxisë qelizat njerëzore të ndërtojnë proteina që gjenden në sipërfaqen e virusit, dhe të shkaktojë një përgjigje imunitare mbrojtëse kundër koronavirusit. Grupe të tjera synojnë të përdorin materialin gjenetik, përfshirë ARN dhe ADN, për të ndërtuar vaksina të ngjashme që do të ndërhyjnë më herët në procesin e ndërtimit të proteinave që rrethojnë Covid-19. Por zhvillimi i një vaksine që krijon imunitet dhe shkakton efekte anësore minimale, nuk është një detyrë e thjeshtë. Dhe në veçanti, një vaksinë kundër koronavirusit të ri paraqet sfidat e veta unike. Ekspertët thonë se disa vaksina, shkaktojnë një dukuri të rrezikshme të njohur si përmirësim i varur nga antitrupat (AED), që paradoksalisht e lënë trupin më të prekshëm ndaj sëmundjeve të rënda pas vaksinimit.
Nga ana tjetër edhe nëse një vaksinë kundër Covid-19, mund të nxisë reagimin e nevojshëm imunitar, studiuesit nuk janë të sigurt se sa mund të zgjasë ky imunitet. Për më tepër, vaksina duhet të funksionojë mirë tek njerëz të moshave të ndryshme, përfshirë edhe të moshuarit, sistemet imunitare të dobësuara të të cilëve i vendosin ata në një rrezik më të madh nga infektimi me Covid -19.
Po pse duhet kaq shumë kohë për zhvillimin e vaksinës?
Gjykimi i vlefshmërisë së një vaksine ndodh në 4 faza. Në fazën e parë, vaksina i injektohet një grupi të vogël vullnetarësh, për të përcaktuar sigurinë e tij. Dhe nëse shfaq predispozitat e dëshiruara të përgjigjeve imunitare, ajo do të monitorohet për disa muaj deri në 1 vit mbi efektet anësore. Pikërisht në këtë faze, janë aktualisht vaksinat kundër koronavirusit.
Në fazën e dytë, një grup më i madh, zakonisht qindra të rritur, marrin pjesë në testim. Disa prej tyre, mund t’i përkasin grupeve që janë të rrezikuar të sëmurën më rëndë nga Covid-19. Shkencëtarët do të matin reagimet e sistemit tonë imunitar, sigurinë e vaksinës, dozat e propozuara, dhe metodat e vlefshme të shpërndarjes. Kjo fazë zgjat zakonisht disa muaj, madje deri në 2 vjet.
Në fazën e tretë, vaksina provohet tek dhjetëra mijëra njerëz, për të provuar për efektet anësore, që mund të mos kenë ndodhur tek mostrat më madhësi të vogla. Këtu testohet edhe efikasiteti i vaksinës, si dhe shihet nëse ajo parandalon infeksionin, dhe nëse stimulon reagimet imunitare të përshtatshme. Kjo fazë mund të zgjasë me vite.
Dhe vetëm pas kësaj, mundet që një zhvillues i vaksinës, të aplikojë për fazën e licencës.
Faza e fundit, drejtohet nga zhvilluesit e vaksinave pasi të dalë produkti. Këta të fundit, kanë përgjegjësinë e monitorimit të vazhdueshëm të efikasitetit të vaksinave, dhe tërheqjen e saj nga tregu nëse nuk është efektive.
Apo të krijojnë versione të përditësuara të tij, për t’u përballur me mutacionet që janë të zakonshme tek vaksinat e gripit. Kështu, edhe pse mund të duket e gjatë periudha 12-18 muaj për një vaksinë ndaj koronavirusit, ajo është e paprecedentë veçanërisht duke pasur parasysh faktin, se një vaksinë me bazë ARN-je, nuk është aprovuar kurrë më parë. Prandaj, testimi është i nevojshëm, ndërsa nxitimi mund të rezultojë fatal.
Problem prodhimi në masë
Pas zhvillimit të vaksinës, lind çështja e prodhimit të miliarda dozave. Miliarderi dhe filantropi amerikan Bill Gejts, ka premtuar se fondacioni i tij do të financojë ndërtimin e fabrikave për 7 nga vaksinat kandidate kundër koronavirusit. “Edhe pse të përdorshme mund të jenë vetëm 2 prej tyre, ne do të financojmë ngritjen e fabrikave për 7 vaksina potenciale, vetëm që të mos humbim kohë”- ka deklaruar së fundmi ai.
Çfarë po përdorin aktualisht mjekët për të luftuar virusin
Remdesivir, është një ilaç eksperimental që synon materialin gjenetik të quajtur RNA dhe ka për qëllim të ndalojë shumimin e SARS-CoV-2. Ai është testuar më parë pa sukses, si një ilaç kundër sëmundjes së rrezikshme të Ebolës.
Hidroksilklorina dhe klorokina, janë barna anti-malarike të testuara edhe në shpërthime të tjera epidemike. Efektet e tyre anësore janë relativisht të njohura, sidomos në zemër. Presidenti amerikan Donald Trump, këmbëngul në përdorimin e saj, pavarësisht paralajmërimeve nga ekspertët.
Favipiravir, është një ilaç për gripin, dhe tregohet si Avigan nga kompania japoneze “FujiFilm Holdings Corp”. Favipiravir synon gjithashtu ARN-në e virusit, për të ndaluar përhapjen e tij. Një studim në muajin mars mbi këtë ilaç tek 80 pacientë, zbuloi se ai ndihmonte në zhdukjen e virusit tek pacientët një javë më parë sesa ilaçet që përdoren kundër HIV.
Kompania japoneze “Takeda”, është duke studiuar nëse plazma e gjakut nga pacientët e rikuperuar Covid-19, që mund të përmbajnë antitrupa që luftojnë infeksionin, mund të përdoret kundër koronavirusit të ri. Trajtime të ngjashme, janë treguar premtuese në trajtimin e infeksioneve të tjera serioze.