Të gjithë janë duke pritur vaksinën ndaj koronavirusit. Shumë ekspertë, mjekë dhe shkencëtarë janë duke punuar për të gjetur kurën.
Por deri më tani asnjë vaksinë nuk është gjetur dhe as ka gjasa të gjendet dhe të futet në përdorim deri para fundit të vitit 2021.
Këtë e ka bërë të ditur shefi ekzekutiv i gjigantit farmaceutik zviceran i Roche, Severin Schwan.
Shefi ekzekutiv i Roche është treguar skeptik sa i përket faktit se vaksina mund të testohet, prodhohet dhe shpërndahet gjerësisht brenda 12-18 muajve të ardhshëm.
“Kam frikë se skenari më i mundshëm është që ne nuk do të kemi vaksinë para fundit të vitit të ardhshëm”, ka thënë Schwan në një konferencë online të mërkurën me gazetarët, ndërsa shton se afati kohor 18-mujor është “shumë ambicioz”, shkruan Business Insider.
Sipas tij, testet e antitrupave, do të ishin shumë të rëndësishme derisa të prodhohet vaksina. Kjo do t’i lejonte njerëzit sipas Schwan që t’i ktheheshin jetës normale para vitit 2021.
Testimet mbi gjakun e pacientëve të cilat pritet të fillojnë në muajin maj, do të përcaktojnë nëse dikush ka pasur sëmundjen e Covid-19 apo jo.
Megjithatë, disa studiues janë më optimistë. Ata thonë se një vaksinë ndaj koronavirusit mund të gjendet që këtë vit.
Profesoresha Sarah Gilbert, e cila udhëheq një ekip të zhvilluesve të Universitetit të Oksfordit që po punojnë për një vaksinë, tha se në skenarin më të mirë, ekipi i saj mund të kishte një vaksinë të gatshme deri në shtator.
Ajo shtoi se është “80 për qind e sigurt” se vaksina që ekipi i saj po zhvillon do të funksionojë.