Presidenti i Republikës nuk ka nguruar të dekretojë ndryshimet në Kodin Penal, ku parashikohet burg për ata që shkelin karantinën.
Mund të konsiderohet dhe si një paqe relative mes Qeverisë dhe institucionit të Presidentit. Pasi është shmangur të firmosi disa vendime të tjera qeveritare, këtë herë Presidenti Ilir Meta nuk ka nguruar të dekretojë ndryshimet në Kodin Penal, ku parashikohet burg për ata që shkelin karantinën.
Në një dalje për mediat, Meta tha se shpallja e ligjit u vlerësua e nevojshme në situatën pandemike që po kalon vendi ynë, për arsye se kohëzgjatja, pasojat, apo mundësia e ripërsëritjes së një situate të tillë, mbeten ende të paparashikueshme.
“Ju përgjigja kërkesës së Kuvendit për ndryshimet në Kodin Penal, duke i dekretuar, pasi janë të nevojshme. Nisur nga zhvillimet, nga gjendja e fatkeqësisë, por mbi të gjitha për shkak të boshllëkut ligjor që ka Kodi Penal, sa i takon veprimeve që kryhen me dashje, Presidenti vlerëson se iniciativa e Kuvendit dhe qeverisë, që mbrojtja e shëndetit të garantohet edhe nga norma penale, duhet mbështetur. Presidenti konstaton se mes draftit të prezantuar fillimisht nga deputetët dhe përmbajtjes finale ka shumë ndryshime thelbësore pozitive, që kanë reflektuar një pjesë të sugjerimeve të shoqërisë civile, avokatit të popullit dhe Presidentit”, tha Meta.
Në draftin fillestar, socialistët propozonin ndëshkimin deri me 15 vite burg për personat që shkelnin karantinën dhe kur provohej që nga ky veprim kishte pasoja të rënda shëndetësore, deri në vdekje të qytetarëve të tjerë. Presidenti Meta kërkoi që ndëshkimi të ulej me 10 vite burg, ndërkohë që drafti u kundërshtua edhe nga deputetët e opozitës parlamentare. Në konsultimet e minutës së fundit, mazhoranca dhe opozita parlamentare gjetën dakordësinë dhe shkuan përtej propozimit të Presidentit, duke e ulur ndëshkimin me 8 vite burg.
Para hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve, Presidenti thotë se është e domosdoshme që Ministria e Shëndetësisë dhe Komiteti i Ekspertëve dhe Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile të plotësojnë kuadrin ligjor dhe nënligjor që lidhet me zbatimin e drejtpërdrejtë të Kodit Penal. Meta kërkon gjithashtu edhe një listë me sëmundjet infektive të rrezikshme që lidhen me zbatimin e masave të jashtëzakonshme.
“Si dhe përcaktimin e qartë dhe shterues sipas ligjit nr. 15/2016 të listës së sëmundjeve infektive të rrezikshme, që lidhen me zbatimin e masave të jashtëzakonshme, procedimin administrativ apo penal. Të gjitha kufizimet, masat e veçanta apo rregullat, shkelja e të cilave sjell sanksione administrative e më pas penale, të nxjerra nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave apo çdo organ tjetër i ngarkuar nga ligji, duhet t`i nënshtrohen një fushate të gjerë e të vazhdueshme informimi publik, përpos botimit të detyrueshëm dhe brenda afatit në Fletoren Zyrtare”, u shpreh Meta.
Presidenti kërkon që në fushatat e informimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për parandalimin e përhapjes së epidemive të përfshihen edhe ndryshimet në Kodin Penal.
Megjithatë, Meta vlerëson se nevoja për të plotësuar boshllëkun ligjor për të tilla situata nuk justifikon procedurën e përshpejtuar të ndjekur nga Kuvendi për miratimin e këtyre ndryshimeve.
“Shmangia e procedurave të përshpejtuara në miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, nuk është një kërkesë vetëm formale kushtetuese, që duhet të respektohet nga komisionet e përhershme parlamentare dhe seanca plenare. Përkundrazi është një kërkesë kushtetuese që në thelb kërkon kryerjen e ndryshimeve në ligje të rëndësishme, me një konsultime dhe konsensus të gjerë”, u shpreh Presidenti i Republikës.arkiva.fjala.al/