Në një kohë kur shumë shtete në Evropë, kryesisht në perëndim dhe në veri, po heqin masat kufizuese të vendosura për shkak të koronavirusit, në lindje të kontinentit po vihet re një shtim i rasteve të reja të infektimit.
Përfshirë Shqipërinë, në shumë vende të Evropës Lindore ka një shtim të rasteve të reja ndonëse masat izoluese janë në fuqi prej 6-7 javësh.
Për këtë situatë ka folur edhe kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom, i cili shpjegon se rritja e rasteve të reja të infektimit në këto shtete vjen si pasojë e numrit të vogël të testeve. Sipas tij, këto shtete nuk kanë raportuar rastet e plota të infektimit dhe vdekjeve pasi kanë kapacitete të vogla testuese.
“Ndërsa kufizimet në Evropë lehtësohen me numrin në rënie të rasteve të reja, ne vazhdojmë t’i nxisim vendet të gjejnë, izolojnë, testojnë dhe trajtojnë të gjitha rastet e COVID-19 dhe të gjurmojnë çdo kontakt, për të siguruar që këto tendenca në rënie të vazhdojnë. Por pandemia është larg fundit. OBSH vazhdon të shqetësohet për tendencat në rritje në Afrikë, Evropën Lindore, Amerikën Latine dhe disa vende të Azisë. Rastet dhe vdekjet nuk raportohen në shumë vende të këtyre rajoneve për shkak të aftësisë së ulët të testimit. Ne po vazhdojmë t’i mbështesim këto vende me asistencë teknike përmes zyrave tona rajonale dhe të vendit, dhe me furnizime përmes Fluturimeve të Solidaritetit”, është shprehur Tedros Adhanom.
Edhe në Shqipëri është vënë re ditët e fundit një shtim i rasteve të reja, madje më shumë se javët e kaluara, kur vendi supozohej që të arrinte pikun e infektimit nga COVID-19.