Në muajin qershor pritet që Komisioni Europian t’u propozojë vendeve anëtare kornizën e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, dokument që i hap rrugën mbledhjes së konferencës së parë ndërqeveritare për të dy vendet.
Tirana do të presë plotësimin e parakushteve që ka vendosur Gjermania dhe Holanda, të cilat lidhen me ecurinë e reformave dhe ngritjen e institucioneve të drejtësië, Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë.
Zëdhënësja Ana Pisonero, tha Komisioni Europian filloi punën për përgatitjen kornizave të bisedimeve që kur u mor vendimi pozitiv për të dy vendet e Ballkanit Perëndimor nga anëtarët e bllokut.
Korniza e bisedimeve është dokumenti që përmban parimet mbi të cilat duhet të zhvillohen negociatat mes dy palëve dhe pasi të jetë gati, duhet të marrë miratimin e të gjitha vendeve anëtare të BE-së.
Nga 1 korriku i këtij viti, Gjermania do të marrë kryesimin e presidencës së BE-së dhe paraprakisht dihet se do të ketë vëmendje të posaçme mbi Ballkanin Perëndimor dhe zgjerimin e bllokut. Megjithatë hapja e kapitujve të parë për Shqipërinë do të varet nga vullneti i qeverisë në Tiranë.
Një tjetër garanci Ballkani Perëndimor pritet të marrë gjatë video-samitit të Zagrebit, ku sipas një projektrezolute që po qarkullon mes vendeve anëtare theksohet objektivi strategjik i anëtarësimit të plotë të rajonit në BE.