Kryeministri Edi Rama ka publikuar planin e lirimit të masave të koronavirusit për tre javët e ardhshme.
Zonat e gjelbërta do të zgjerohen në datën 4 maj me qytetet e: Tropojës, Rrogozhinës, Peqinit, Belshit, Cërrikut, Gramshit, Urës vajgurore, Kuçovës, Beratit, Poliçanit, Skraparit, Devollit, Pustecit, Maliqit, Mallakatrës, Kolonjës, Vlorës dhe Selenicës.
Më 11 maj planifikohet të bëhet e mundur lëvizja e automjeteve pa autorizim brenda qarqeve nga ora 05:00 deri në 17:30. Gjithashtu po më 11 maj do të hapen bizneset si parukeri, berberët, klinikat dentare si dhe dyqanet në qendrat tregëtare, gjithmonë duke respektuar protokollin striktë të sigurisë të vendosur nga qeveria. Ndërsa për qytetarët që vijnë nga jashtë bëhet me dije se pas datës 11 ata do të mund të karantinohen në shtëpitë e tyre.
Në javën e tretë të majit, më 18 maj parashkohet hapja e shërbimeve bar-restorant deri në orën 17:30, por vetëm për ambientet e jashtme, ndalohet rreptësisht çdo shërbim brenda ambienteve të lokalit.
Ndërkohë vazhdon të jetë i mbyllur çdo aktivitet kulturor artistik dhe ndalohet çdo grumbullim i më shumë se pesë personave në ambientet publike.
Kryeministri Rama, ka paralajmëruar se plani i lirimit të masave mund të ndryshojë, nëse dinamika e epidemisë ndryshon negativisht.
Ndërkohë, ditën e sotme në Shqipëri janë konfirmuar pozitivë me koronavirus, 9 raste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm e të infektuarve në vend në 782.arkiva.fjala.al/