Nga kjo e hënë, miliona vetë në mbarë Evropën iu rikthyen punës dhe aktivitetit normal ditor, me një sjellje të re, teksa më shumë vende përqark kontinentit pritet të përshtaten me masat lehtësuese në ditët dhe javët në vijim, pas më shumë se dy muajsh në izolim.
Por askush nuk është i lumtur me mënyrën se si duket “normalitetit i ri”. Bizneset italiane pyesin nëse do t’ia dalin t’i shpëtojnë krizës që do lërë pas Covid-19 apo do të dështojnë.
Studentët në Gjermani i janë rikthyer mësimit, në distancë të konsiderueshme fizike nga njëri tjetri. Belgët iu rikthyen metrove dhe transportit publik por fytyra duhet mbuluar dhe këtë e kanë me detyrim.
Të hapura do të qëndrojë edhe bizneset e vogla në Greqi dhe Portugali. “Faza 2″ e planit italian nisi këtë të hënë, me më shumë se 4 milionë persona që iu rikthyen punës, disa shërbime publike rinisën aktivitetin dhe disa biznese të tjera u rikthyen në punë.
Kryeministri italian Giuseppe Conte shkroi në facebook: “Si kurrë më parë, e ardhmja e vendit tonë është në duart tuaja”. Edhe pse disa industri si tekstilet apo prodhimi po rihapen, dyqanet jo të domosdoshme vijojnë të qëndrojnë mbyllur. Ndërsa baret dhe restorantet janë hapur por vetëm për porositë për jashtë, dhe jo për tu akomoduar.
Qeveria italiane thotë se do të rihapë tërësisht dyqanet, baret dhe restorantet gradualisht, deri sa norma e riprodhimit të koronavirusit të arrijë në 0.5, që nënkupton që secili italian të mund të infektojë më pak se një tjetër.
Ndërkohë që nuk flitet ende për teatrot apo stadiumet. Pakënaqësi ka edhe në vende të tjera të Evropës, paqartësi gjithashtu. Edhe në Berlin janë hapur disa biznese. PO ashtu masat po lehtësohen në shtete të tjera të Evropës.
Spanja ka lejuar qytetarët që të dalin për stërvitje vetëm gjatë fundjavës, për herë të parë në 6 javët e fundit. Portugalia hapi këtë të hënë dyqanet e vogla ndërsa në Belgjikë qytetarët iu rikthyen transportit publik. Trafiku shënoi rritje nga kjo e hënën në rrugët e Greqisë.
Me një stabilizim të numrit të rasteve të reja dhe përballjes për tu lavdëruar me koronavirusin, Greqia thotë se është gati për të pritur turistët këtë verë.
Ndërkohë Britania e Madhe nuk mund tja lejojë vetes që të lehtësojë masat, ndonëse ka gati planin për rikthimin në punë.
Një draft i qeverisë, që mund të implementohet ditët në vijim, parashikon sërish punë nga shtëpia dhe shtim të higjienës personale e respektimit të distancimit social.
Edhe transporti publik pritet të kthehet së shpejti por deri atëherë, qytetarët këshillohen të ecin në këmbë për në punë, shkruan CNN.
E ndërsa evropianët rihapen dalëngadalë me virusin që ende qarkullon, shtohen pikëpyetjet për të ardhmen që na pret, krejt ndryshe nga ajo që kishim parashikuar. Pandemia koronavirus padyshim që ka ndryshuar Evropën, e botën mbarë, përgjithmonë./Përshtati nga CNN, arkiva.fjala.al/