Në tavolinën e Bordit të Barcelonës ka shumë të reja së fundmi.
Pasi refuzuan rrjetin e videove për të rritur, “Pornhub” për të vendosur emrin e stadiumit, tani drejtuesit katalanas po mendojnë për blerje të reja në merkato, por kjo vështirësohet nga kriza financiare që ka sjellë koronavirus.
Klubi blaugranas duket se ka humbur thuajse 140 milionë euro nga kriza e shkaktuar nga pandemia Covid-19. Zëvendëspresidenti i klubit katalanas, Jordi Cardoner ka konfirmuar se Barcelona ka humbur diku mes 120 dhe 140 milionë euro dhe kjo faturë negative do të rëndohet në fundin e majit.
Liga spanjolle është pezulluar prej fillimit të marsit pasi Spanja është njëra prej vendeve më të prekura në botë nga koronavirus.
“Barça ka humbur rreth 50 milionë euro nga shitjet e biletave dhe muzeut të saj, 39 milionë euro nga të ardhurat televizive dhe mes 20 dhe 25 milionë eurove nga të ardhurat komerciale nga dyqanet, shkollat e futbollit, ‘aktivitetet e legjendave’ dhe gjërave të tilla. Goditja direkte e të ardhurave tashmë është mes 120 dhe 140 milionë eurove”, ka thënë Cardoner për “ESPN”.
Futbollistët te Barcelona kanë pranuar 72% ulje të pagesës [për tyë ndihmuar klubin të kalojë këtë “stuhi” financiare, në një proces që u negociua si asnjëherë nga kapiteni Lionel Messi, dhe Sergio Busquets, Gerard Pique dhe Sergi Roberto.
Kjo marrëveshje ka lejuar 500 anëtarë të stafit të mbajnë pagat e tyre, por Cardoner parashikon se “ditë të errëta” do të vazhdojnë të paktën edhe në maj.