Ditmir Bushati vijon të japë mesazhe politike pas fjalimit të ashpër që mbajti në Kuvend ndaj mazhorancës ku bën pjesë. Duke shfrytëzuar Ditën e Dëshmorëve, Bushati citon Qemal Stafën duke kërkuar nga shqiptarët që të rrënojnë të vjetrën.
Sipas ish-ministrit të Jashtëm, Shqipëria ka nevojë sot të përqafojë vlerat e lirisë, demokracisë dhe parimet e shtetit të së drejtës.
“Edhe na shqiptarët do t’a rrënojmë të vjetrën. Mbi të do ngrefim madhnisht flamurin kuq e zi të vllaznimit”, shkruante Qemal Stafa, emri dhe veprimtaria antifashiste e të cilit janë të lidhur me 5 Majin. Emri i Qemal Stafës dhe 5 Maji janë të lidhur me shpresën dhe idealin që kemi nevojë të përqafojmë edhe sot, ku vlerat e lirisë, demokracisë dhe parimet e shtetit të së drejtës janë ideali për të cilin luftuan dhe dhanë jetën Dëshmorët e Atdheut”, shkruan Bushati.
Në fjalimin e mbajtur në Kuvend, Bushati i bëri thirrje Partisë Socialiste që të largohet nga oligarkët dhe të rikthehet te qytetarët e thjeshtë.