Të gjithë ata që ishin atë moment në rrethimin dhe vrasjen e Qemal Stafës i ka ndjekur një fat i keq në jetë. Dukej sikur secili kishte jetën e tij, fatin e tij dhe gjithçka nuk kishte lidhje me të tjerët, por kur faktet i bën bashkë ndodhesh përballë një situate që zor se mund të jetë rastësi. Të gjashtë dëshmitarët patën një jetë të vështirë plot andrralla deri në krime.
- Drita Kosturi, e fejuara e Qemal Stafës, u arrestua menjëherë pas ngjarjes nga milicia, por pas tri javësh u arratis dhe doli partizane. Pas luftës, u arrestua nga regjimi komunist si armike e Partisë më 1946, u dënua me vdekje, bëri 13 vjet burg dhe pasi u lirua e interuan deri më 1988. Vdiq në vitin 2006.
- Marie Lezha u arrestua gjatë rrethimit të shtëpisë nga milicia, por u lirua pas disa ditësh dhe doli partizane. Pas çlirimit u internua disa herë deri në rrëzimin e komunizmit. Vdiq më 2009.
- Gjystina Sata, (Flora Dishnica) u arrestua gjatë rrethimit, por pas disa ditësh u lirua. U martua me Ymer Dishnicën duke e ndjekur bashkëshortin në të gjitha internimet e tij. Jetoi në Berat dhe asnjëherë nuk foli për këtë ngjarje.
- Kristo Themelko i vetmi që arriti të largohej nga rrethimi i banesës. Pas luftës u bë një nga njerëzit më të rëndësishëm të Partisë Komuniste. Por karriera vijoi deri më 1947, sepse më pas ai u arrestua dhe e kaloi jetën në burg dhe internim deri më 1990. Vdiq në Tiranë, më 1990.
- Beqir Minxhozi punonjës banke doli nga shtëpia për të blerë ushqime, por u arrestua nga milicët dhe në xhep i gjetën letrën ku shkruhej kontratë e qirasë së shtëpisë që kishte marrë. Mbi bazën e adresës që kishte shënuar aty policia shkoi në shtëpinë ku ishte Qemal Stafa. Ai u lirua pas disa ditësh. Pas doli partizan në zonën e Matit. Pas luftës u përjashtua nga partia nën akuzën se më 5 maj 1942 nuk ishte treguar vigjilent. Vdiq në vitin 2002.
- Isuf Keçi doli nga shtëpia për të marrë disa materiale. Kur u kthye shtëpia ishte e rrethuar dhe nuk mundi të futej më. Pas disa javësh doli partizan. Pas luftës u arrestua si armik duke kaluar kalvarin e burgjeve. Vdiq më 1990, në Tiranë.