Ditën e sotme OFL-së, (Operacioni Forca e Ligjit) ka bërë me dije përfundimin me sukses të një tjetër misioni, ku u sekuestruan 1.2 milionë litra naftë dhe një magazinë të cilat ishin në pronësi të Lulzim Berishës dhe një personi të identifikuar me inicialet E.SH.
Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga momenti i sekuestrimit. Dhjetëra forca policore kanë shkuar në Durrës ku kanë rrethuar me shirit fuçitë e naftës.
Këtij subjekti, më datë 13.02.2019, me vendimin nr. 85, i ishte revokuar licenca nga autoritetet kompetente shtetërore “Për ushtrimin e veprimtarisë së furnizimit me karburant, për konsum të anijeve në porte”. Pavarësisht revokimit të licencës, subjekti ka vazhduar të ushtrojë në mënyrë të paligjshme aktivitetin e tregtimit të naftës për peshkimin, duke përdorur shantazhin ndaj konkurrencës dhe duke tentuar të krijojë një monopol kërcënues për operatorët e industrisë së peshkimit.
Pasi e ka ndjekur fillin e këtij organizimi kriminal, OFL ka kryer mbrëmë operacionin e sekuestros dhe po vijon, në bashkëpunim me Strukturat e Specializuara të Hetimit Financiar, hetimin intensiv për zbulimin dhe dokumentimin e gjithë veprimtarisë kriminale në këtë fushë dhe lidhjen me persona të tjerë publikë e privatë.
OFL do informojë publikun në vijimësi për ecurinë e këtij operacioni të rëndësishëm, i cili tregon edhe njëherë se pasuritë kriminale nuk do të mbijetojnë në duart e subjekteve të Ligjit Special apo familjarëve e rrethit të bashkëpunëtorëve të tyre.