Kyriakos Mitsotakis, kryeministri grek ka folur për ‘CNN’ lidhur me menaxhimin e duhur që bëri Greqia me përhapjen e koronavirusit. Në bisedë u prek dhe çështja e turizmit, që është industria më e rëndësishme e vendit fqinj.
“Do të jetë një verë shumë e ndryshme. Por shpresojmë se më e keqja tashmë ka kaluar. Atë që e konsideroj si trashëgimi të kësaj krize është ndjenja e suksesit kolektiv. Dhe guxoj ta them fjalën: krenari. Grekët nuk ishin ndjerë krenarë për një kohë të gjatë “, tha në intervistën e tij Mitsotakis.
“Në rastin më të mirë, Greqia do të jetë e hapur për aktivitetin e turizmit duke filluar nga 1 korriku dhe ne po punojmë në këtë drejtim. Jemi duke u përgatitur për këtë skenar, por sigurisht data e saktë varet dhe nga linjat ajrore, pasi shumë njerëz marrin avionin për në Greqi. Ka të bëjë me protokollet shumë të rrepta, por njëkohësisht të zbatueshme”, shtoi ai.
Sipas Julia Chatterly, moderators së CNN, masat e shpejta të qeverisë ndaj shpërthimit epidemik shpëtuan jetë njerëzish, ndërsa mesazhi që ajo përcolli nga intervista ishte se “Greqia do të jetë gati për sezonin veror”.