Janë disa fakte që hedhin dyshime të forta që baza ku ishte Qemal Stafa është spiunuar. Madje nga vetë shokët e tij. Baza ku strehohej Qemal Stafa kishte tri ditë që ishte marrë me qira dhe ishte e pamundur që policia ta zbulonte kaq shpejt. Arrestimi i beftë dhe i çuditshëm i Beqir Minxhozit me të cilin policia shkoi në shtëpi dhe e rrethoi është një tjetër fakt i dyshimtë. Po cilët ishin ata që e zbuluan bazën? Tre janë personat ndaj të cilëve janë hedhur dyshime të forta për zbulimin e bazës ku strehohej Qemal Stafa: Kristo Themelko, Beqir Minxhozi dhe Enver Hoxha. Gjystina Sata është më e qartë në versionin e saj
“Ikja e Shules është shumë e dyshimtë. Në asnjë mënyrë nuk duhet të ikte vetë pa marrë Qemalin me vete. Beqiri nuk duhet në asnjë mënyrë ta sillte policinë aty. Ai u justifikua që i kam shëtitur nëpër Tiranë që të na shikonin shokët dhe të vinin të na lajmëronin ne. Kjo bie në kundërshti se kjo shtëpi kishte vetëm tri ditë që ishte marrë me qira dhe ishte sekrete. Kush ishin ata shokë që do ta dinin se ku është kjo shtëpi. Në këtë kohë Beqiri ka qenë i arrestum. Darkën e kësaj nate ne mësojmë që Beqiri ishte arratisur nga Kuestura. Ne ishim dy femra, të lidhura na mbanin duart. Te këmbët kishim një krevat dhe këmbët na i kishin lidhur atje. Dyshimi i parë ishte si iku ky Beqir nga Kuestura. Unë i mësova pasi dola nga burgu se unë i kërkoja gjithmonë hesap. Justifikimi ishte se i kapën në xhep kontratën e shtëpisë. Ku e ke shtëpinë? Versioni tjetër ishte e kapën me revolver dhe e kam lejen në shtëpi. Pse t’i sillte në shtëpi ai. Të thoshte e kam pa leje dhe pikë. Në dijeni Miladini dhe Koçi Xoxe, U thashë ma shpjegoni se unë nuk e kuptoj dot. Si u bë ajo gjë? Ata u përgjigjën: Unë nuk e mendoja kurrë se ata do të bënin vrasjen e Qemalit. Kurrë nuk e kam menduar këtë. Pse Beqiri i pruri aty Ai bëri gabim që i solli dhe duhet të mos i kishte sjellë. Nuk ua mori mendja se ju mund të ishit aty. Kujtonte se i kanë parë shokët dhe ju kanë lajmëruar juve. Kurse për Shulen më thanë: Ti e di Shulja, aq ia prêt. Si pra aq ia preu? Të lërë shokun e ngushtë aty? ”
Ndërkohë Beqir Xhepa në atë moment një djalë i ri, mik dhe korrier i Qemal Stafës, tregon debatin e të atit me Enver Hoxhën pas ngjarjes:
“Babi im, Ramazani, shkoi te dyqani Flora dhe iu drejtua Enverit: Enver, gjakun e Qemalit e kërkoj te ty, sepse e di mjaft mirë që ai është tradhëtuar nga shokët e vet”. Por Enveri iu përgjigj: Po gabohesh Ramazan.” (10 mars 2003, Dashnor Kaloçi, gazeta shqiptare)
“Debat me Enverin ka bërë edhe Vançi Barjaktari, i sapokthyer nga Shkodra. Babai im i kishte thënë Vançit përse e kishte lënë Qemalin vetëm. Por Vançi i kishte treguar se kishte qenë në Shkodër me urdhër të Enverit. Madje Vanci kishte bërë debate me Enevrin. Këtë ia kishte treguar vetë Vançi babait tim”.
Enver Hoxha e ka sjellë ngjarjen në kujtimet e tij si melankolike dhe të dhimbshme. Ai thotë se ka qenë me Qemalin më 3 dhe 4 maj, një fakt që nuk rezulton të jetë i vërtetë. Hoxha ose e ngatërron se e ka harruar, ose qëllimisht e vendos këtë fakt.
“Dita e fundit e pjekjes sime me Qemalin, ishte më katër maj. U poqëm në bazën numër 66 në Rrugën e Shëngjergjit, në shtëpinë e Hysen Dashit. Me Qemalin ndenjëm tërë ditën brenda në dhomë dhe punuam. Plaku na solli të hanim. Unë po përgatisja një leksion për Ushtrinë e Kuqe, Qemali përgatitej se të nesërmen, që në mëngjes duke gdhirë 5 Maj, do të nisej për në Vlorë. Ramë e fjetëm afër njëri-tjetrit, në një minder të mbuluar me batanije. Në mëngjes u përqafuam dhe u ndamë. Ai u nis për në Vlorë, unë për një mbledhje me shokët. Sido që ne baritnim çdo herë, si thotë populli, “me qefin në kokë”, me kobure në brez dhe me bomba në xhepa, as nuk mendonim për vdekjen që na priste në çdo qoshe rruge. Si mund të mendoja unë se e putha dhe e shtërngova për herë të fundit në kraharorin tim, shokun nga më të mirët e Partisë, shokun dhe bashkëluftëtarin tim të dashur, Qemal Stafën?! Në bazën ku isha, erdhi një shok dhe, duke qarë më tha: Armiku na vrau Qemal Stafën! Vura duart në kokë dhe nuk i mbajta dot lotët. Ku e vranë? I thashë. Në Tiranë, më tha shoku, në një shtëpi në bregun e lumit të Tiranës. U ngrita në këmbë dhe me shpresë i thashë: S’duhet të jetë e vërtetë, Qemali që në mëngjes u nis për në Vlorë. Për këtë jam i sigurtë, mos e besoni se armiku hap parrulla. Mjerisht, – më tha shoku, – kjo është e vërtetë. Qemali ra duke luftuar heroikisht dhe mbrojti tërheqjen e shokëve që shpëtuan. Ai harxhoi të gjithë municionin që kishte. Dhe më tregoi tërë historinë e ngjarjes që ka përshkuar historia”.(Enver Hoxha, libri “Për shokët e mij pionerë”, Tiranë, 1985.)