Silvana Bala, drejtuese e Shërbimit të Pneumologjisë, në spitalin “Shefqet Ndroqi”, në një intervistë për “ABC e mëngjesit”, tha se një pacient i cili shërohet nga Covid-19 mund të vazhdojë të ketë në rrezik jetën pasi mund të ketë komplikacione të tjera si tromboembolia pulmonare apo tromboembolia e organeve të tjera. Ndërkohë për pasojat, mjekia tha se çdo gjë varet nga mosha e pacientit dhe sëmundjet shoqëruese.
“Ajo çfarë mund t’i kërcënojë jetën pacientit është se në javët e para pasi pacienti negativizohet nga COVID-19, kjo pasojë mund ti shkojë për 4-5 javë dhe flitet për komplikacionin më të mundshëm të saj që është tromboembolia pulmonare apo tromboembolia e organeve të tjera. Kjo është pasoja më e rëndësishme dhe që mund ti kërcënojë jetën edhe nëse kalon COVID-19, pacientit të sëmurë. Nuk mund të flasim për pasoja mbetëse për gjithë jetën nga kjo sëmundje. Megjithatë çdo gjë varët nga mosha e pacientit, sëmundjet e shoqërueshme. Pneumonia nga COVID-19 ul dhe kufizon të gjithë aktivitetin funksional të mushkërive”, sqaroi Bala.
Ditën e djeshme në të dhënat e publikuara, janë konfirmuar pozitive me koronavirus 8 raste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm e të infektuarve në vend në 803.