Nga Spartak Ngjela ekskluzivisht për arkiva.fjala.al/
Reforma në Drejtësi në Shqipëri nuk ka nevojë për vëmendje, por për respektimin e ligjit. Që të funksionojë Reforma në Drejtësi duhet të funksionojë ONM-ja. Në ONM nuk ka asnjë shqiptar dhe ky ishte suksesi ynë i madh. Karantina dhe ndalimi i qarkullimeve kuptohet që i ka detyruar anëtarët e ONM-së: ose të kenë shkuar në shtëpitë e tyre për të bërë karantinën, ose janë këtu brenda izolimit të ligjit shqiptar në funksion të epidemisë. Do ta konsideronim shkëputje të vëmendjes ndaj Reformës në Drejtësi në rast se, kjo që po ndodh, do të vinte si pasojë e pasivitetit të ONM-së dhe të organeve shqiptare që bëjnë monitorimin. Sot në Shqipëri janë ndërprerë të gjitha gjyqet, nuk funksionojnë gjykatat dhe kjo si pasojë e epidemisë që shoqërohet me një karantinë të rreptë ligjore.
Pse nuk do të humbasë ndonjëherë vëmendja ndaj Reformës në Drejtësi?
Reforma në Drejtësi në Shqipëri është domosdoshmëri, sepse gjithë fatkeqësia kombëtare, e gjithë kjo prapambetje në funksion të prodhimit dhe mirëqenies, të tregut dhe të punësimit vjen si pasojë e faktit që duke mos pasur pushtet gjyqësor të pavarur, të drejtë dhe profesional, Shqipërinë e ka pushtuar tërësisht korrupsioni. Politikat e mëdha perëndimore, sidomos Uashingtoni dhe Berlini që kanë dhënë kontributin kryesor në trzsninë politike të ushtruar ndaj pushtetarëve të korruptuar, do të vijojnë normalisht përkrahjen e Reformës në Drejtësi në Shqipëri për dy arsye: arsyeja e parë është që pa një drejtësi të pavarur dhe pa eliminuar korrupsionin kaq të madh, Shqipëria nuk hyn dot në BE; por edhe politika amerikane që e kërkon me çdo kusht Shqipërinë si anëtare të BE-së nuk mund ta ndërpresë forcën e ushtruar deri tani në këtë aspekt, sepse interesi amerikan në Ballkanin Perëndimor nuk mund të vijojë në një devizë të korruptuar. Korrupsioni i lartë shtetëror është krim i organizuar, sepse pa qenë i tillë nuk ekziston dot. Ky krim i organizuar, që ka 25 vjet që funksionon si në shtëpi të vet, nuk mund të ikte nga skena në rast se nuk do të bëhej Reforma në Drejtësi. Ai i patë gjyqtarët e korruptuar që u rrëzuan nga vetingu? Kishte nga ata që pretendonin se qindra e mijëra euro ua kishte dhënë babai, gjyshja ose tezja, në një kohë që që të tre këta jetonin nëpër kasolle. Vërtet mendoni se me këta gjyqtarë që ende nuk janë larguar tërësisht do të mund të dënohej korrupsioni shqiptar? Kur folëm për krim të organizuar duhet të kuptojmë se individë të inkriminuar janë në tri kolona të caktuara të shtetit shqiptar: në gjykatë dhe prokurori, në qeveri, dhe në treg si kompani klienteliste të korrupsionit qeveritar. Që të eliminohej korrupsioni shqiptar, kolona kryesore që duhej shkatërruar ishte gjykata dhe prokuroria e korruptuar. Kjo është arsyeja që reforma antikorrupsion në Shqipëri filloi me vetingun kundrejt gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në këto momente, menjëherë pas ndarjes nga karantina, do të vijojë Reforma në Drejtësi për 40 % të gjyqtarëve dhe prokurorëve ndaj të cilëve nuk është ushtruar ende vetingu. Fakti që deri tani rreth 60% të gjyqtarëve të vetuar janë përjashtuar për korrupsion, tregon se edhe në pjesën e mbetur, mbi 50 % e tyre do të eliminohen nga pushteti gjyqësor.
Kjo është tabloja e deritanishme e Reformës në Drejtësi; këto janë arsyet që ajo nuk mund të ndalojë dhe nuk do të harrohet, por në të njëjtën kohë duhet të kujtohemi se Uashingtoni dhe Brukseli kanë bërë pagesa të mëdha monetare në lidhje me këtë Reformë. Të dy këto motive na japin konkluzionin se Refoma në Drejtësi do të vijojë; në një kohë që na duhet të theksojmë se në këto momente në pushtetin gjyqësor shqiptar janë strukturuar edhe dy institucionet bazë të ngritura kundër korrupsionin shtetëror: Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme.
Po me SPAK-un çfarë po ndodh?
Ashtu siç arsyetuam për Reformën në Drejtësi, e cila nuk është penguar nga harresa ose heqja dorë e kontrollit ndërkombëtar, por thjesht prej karantinës dhe masave antiepidemike, edhe SPAK-u e ka ndalur funksionimin e tij normal pikërisht për këtë arsye.
SPAK-u ka tri institucione që përbëjnë substancën e tij: Gjykata e Posaçme, Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Të tria këto institucione përbëjnë grupin antikorrupsion të ngritur posaçërisht në pushtetin gjyqësor për të gjykuar korrupsionin e lartë shtetëror dhe krimin e organizuar.
Deri tani janë të strukturuara: Gjykata e Posaçme dhe Prokuroria e Posaçme, kurse në momentet që po strukturohej Byroja Kombëtare e Hetimit filluan kufizimet në luftën antiepidemike.
Ashtu sikurse u shprehëm më lart, në lidhje me Reformën në Drejtësi, në funksion të vetingut kundrejt gjyqarëve dhe prokurorëve të pushtetit gjyqësor aktual, po kështu do të na duhet të shprehemi edhe për funksionimin normal të SPAK-ut. Me anë të kësaj, na duhet të themi se, edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, edhe Gjykata e Posaçme, edhe Prokuroria e Posaçme menjëherë pas çeljes së restriksionit antiepidemik, do të fillojnë rimbushjen e tyre për plotësim insitucional dhe do të fillojnë menjëherë nga puna.
Korrupsioni i lartë shtetëror i të gjitha krahëve politikë që ka spikatur me virulencë në Shqipëri që nga viti 1998 e deri në ditët e sotme, ka sjellë si domosdoshmëri historike reformën e rreptë për eliminimin e tij. Shoqëria shqiptare ka qenë e rrezikuar në këtë periudhë si kurrë ndonjëherë, dhe ky rrezik vjen si pasojë e shkatërrimit të tregut në mënyrë klienteliste dhe detyrimit të rinisë shqiptare për emigrim. Goditja e korrupsionit dhe ristrukturimi juridik i shtetit shqiptar sjell çlirimin e tregut nga uzurpimi klientelist dhe, në këtë kohë që janë hapur negociatat për Bashkimin Evropian duhet të fillojë edhe ristrukturimi ekonomik në raport të drejtë me kërkesat e tregut të ekonomisë së Bashkimit Europian.
Në rast se për arsye subjektive shqiptarët nuk do të arrijnë të eliminojnë korrupsionin banditesk që ekziston në Shqipëri, do të jenë gjithmonë të rrezikuar për të ardhmen me prosperitet të shoqërisë shqiptare. Kjo është arsyeja që edhe politikat perëndimore Uashington – Bruksel, që e kanë pranuar se do ta mbajnë Shqipërinë brenda interesit perëndimor, po luftojnë ndaj çdo përpjekjeje të Moskës për të qenë prezente në botën shqiptare, në Ballkanin Perëndimor.
Ne duhet të kuptojmë një gjë që, edhe Reforma në Drejtësi, edhe reforma antikorrupsion e institucionalizuar e SPAK-ut janë armët kryesore, që bashkë me korrupsionin kriminal shqiptar luftohet gjithashtu edhe prezenca e interesit rus në Shqipëri. Po të shikohet me vëmendje, edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, kuptohet që korrupsioni me individë të korruptuar është i lidhur me interesin e Moskës dhe të Beogradit.