Vetëvrasja e Qemal Stafës për herë të parë është përmendur vetëm pas rrëzimit të regjimit komunist. Ishte çmenduri që dikush të dilte kundër versionit zyrtar. Këtë version e jep Drita Kosturi. Ndonëse jo shumë besues si version, Kosturi i referohet një personi të cilit i ka dhënë vetëm inicialet dhe që sipas Kosturit ka qenë një fshatar që ka kaluar rastësisht aty dhe ka takuar Qemal Stafën dhe ka parë skenën. Gjithnjë sipas Kosturit, ai ia ka rrëfyer këtë të fshehtë të madhe pas vitit 1990. Kosturi rrëfen atë që i ka thënë anonimi:
“Dëshmitari i vetëm i atij çasti tragjik, fatkeqësisht ka mbetur për gjithë këto vite anonim. Madje vetëm vonë prezenca e tij është pranuar zyrtarisht. Ishte një fshatar tiranas, Y.B., që po ndiqte rrugën më të shkurtër për të mbërritur në qytet. Fshatari dhe djali me revole në dorë janë takuar përballë fare pranë, buzës së lumit. Ndjekësit ishin pas dhe ndihej qartë prania e tyre. Qemali ishte i plagosur. Nuk mund të ecte më. Kishte në dorë revolverin Smithson me dy fishekë. Fshatari ndaloi dhe i bindur që ishte një person i rezistencës i propozoi të ndërronin rrobat bashkë. Djali nuk pranoi. Pa dhënë më shumë shpjegime, zbrazi plumbin e fundit mbi trupin e tij. Madje, pa i lënë tjetrit asnjë amanet”. Revista “Klan”, 17 maj 1998.
E fejuara e tij, Drita Kosturi, e komenton kështu këtë version.
“Qemali vrau veten. Unë e mësova që atë ditë, kur më treguan gjyslyket e tij dhe më çuan në morg. Ata që qëndronin atje flisnin hapur për atë që kishte ndodhur. Ishte i plagosur dhe dy plumbat e fundit i kishte ruajtur për veten. Kur e gjetën, në pistoletë kishte ende një plumb. Unë nuk e kam thënë kurrë këtë, sepse për ngjarjen qe pranuar një version zyrtar”. Opinion Klan
Por dëshmitarja tjetër që ishte bashkë me Kosturin aty, Gjystina, Flora Dishnica nuk e beson këtë version.
“Gjë të sigurt nuk mund të thuash se duhet të kesh fakte”.