Arilda Hoxha është një këngëtare e re në moshë, megjithatë premton shumë. Muzika e ka shoqëruar këtë 24-vjeçare që në vegjëli.
Arilda ka ndjekur studimet e shkollës së mesme në liceun artistik “Jordan Misja” dhe gjatë 4 viteve ka qenë pjesë e talent show-eve të ndryshëm.
Me dëshirën për t’u identifikuar si këngëtare, ka marrë pjesë në “Promofestival” në Tv Klan, sikurse në “The Voice of Albania 1”. Rrugëtimi i Arildës nuk ndalet me kaq. Ajo gjithashtu ka marrë pjesë në “Top Fest 10” dhe “Summerfest”.
Gjatë kësaj periudhe është aktivizuar me aktivitete të ndryshme, kryesisht në muzikën e lehtë. E tërhequr së tepërmi edhe nga muzika klasike, Arilda është aktualisht pjesë e korit të Universitetit të Arteve, si dhe soliste në koncerte të ndryshme brenda dhe jashtë vendit; Itali, Zvicër, Dubai, Maqedoni, Kosovë, etj.
Së fundmi ka fituar audicionin në Universitetin e Arteve në Bern (Zvicër), për programin master të specializuar të performancës muzikore të operas.
