‘Situata e rëndë e pandemisë ka prekur çdo sektor të ekonomisë shqiptare, përfshirë dhe sektorin e agrobiznesit dhe bujqësisë.
Presidenti i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar Agim Rrapaj dhe drejtoresha ekzekutive Enisa Shena i paraqitën sot me shifra dhe detaje kryetarit të PD situatën e vështirë të sektorit të zinxhirit ushqimor që, për shkak të pandemisë dhe mungesës së mbështetjes me paketë ndihme të dedikuar këtij sektori, rrezikon kolapsin.
Kryedemokrati Lulzim Basha ka shprehur mbështetjen për kërkesat e fermerëve dhe sektorit të agrobiznesit, ku së bashku me përfaqësuesit e KASH ndanë si prioritete urgjente për përballimin e krizës disa hapa duke përfshirë.
1- Barazimin e TVSH-së për të ndihmuar prodhimin vendas dhe fermerët që kanë pësuar goditje nga pandemia duke ndihmuar të gjithë zinxhirin e prodhimit agro-ushqimor i vendit.
2 – Përfshirjen e institucioneve të mikrokredisë në skemën e garancisë sovrane që qeveria shqiptare ofron për bankat e nivelit të dytë. Sektori i mikrokreditit është jetik për të siguruar likuiditetin në sektorin agrobujqësor. Sot ky likuiditet mungon duke rrezikuar prodhimet së nesërmes.
3 – Qeveria shqiptare nëpërmjet AZHBR-së dhe institucioneve të tjera duhet të rrisë ndjeshëm financimin me grante për të gjithë fermerët shqiptarë të cilët kanë pësuar humbje nga situata e pandemisë së COVID-19.
Sot, shqiptarët po rrënohen ekonomikisht çdo ditë e më shumë. Çdo biznes, përfshirë dhe bujqësinë kane nevojë për ndihmë dhe jo fjalë boshe. Me mënyrën si po e menaxhon kjo qeveria situatën pandemia shëndetësore covid19 do të shndërrohet në pandeminë ekonomike 2020.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e 37 shoqatave kombëtare dhe rajonale, drejtues të Këshillit të Agrobiznesit, janë të shqetësuar për situatën aktuale pasi prodhuesit nuk arrijnë të shesin prodhimet dhe po konkurrohen nga produktet e importit të cilat vijnë të subvensionuara në vendet e origjinës.
Sipas tyre, ekonomia shqiptare është në kolaps, masat e qeverisë janë kaotike dhe ndihma ekonomike që është e pandjeshme për qytetarët dhe biznesin, për bujqësinë nuk ekziston as si premtim.