FC Prishtina ka ngritur zërin duke kërkuar që kampionati të vazhdojë dhe fati i edicionit 2019/20 të përcaktohet në fushën e blertë dhe jo në “tavolinë”. Klubi bardhekaltër ka dhënë disa arsye, që sipas tyre dëshmojnë se kampionati duhet të rifillojë sa më shpejt dhe se situata nga pandemia po on ekipet drejt krizës së plotë.
“Parimi i UEFA-së është gjithmonë që ndeshja dhe fituesi i garave të shpallet në fushën e blertë. Për këtë arsye reagimi i saj ishte i ashpër ndaj pak atyre shteteve që kanë vendosur të ndërpresin kampionatet. Shtetet më të prekura nga pandemia si Spanja dhe Italia, kanë vendosur që patjetër të vazhdojë kampionati. Po ashtu edhe shtetet e rajonit, e sidomos shembullin më të mirë kanë dhënë vendi i nënkampionëve botëror, Kroacia. Edhe pse me mbi 2.100 raste më të infektuar dhe me 86 humbje jetësh, nuk ka pasur asnjë skuadër kroate, dhe as analist sportiv, që ka kërkuar të ndërpritet futbolli dhe nga moszhvillimi i saj të përfitojë ndonjë klub eventualisht” thotë klubi prishtinali.
Sipas ekipit kosovar, masa normale të parashikuara nga protokolli, kampionati duhet të rifillojë më 30 maj e të përfundojë më 5 gusht.
“Klubet tona, pjesën më të madhe të buxhetit të saj e kanë nga garat ndërkombëtare dhe do të dëmtoheshin jashtëzakonisht shumë. Gjithashtu nuk do të kishte rregullsi me çfarëdo metode tjetër nëse do të vendosej për kualifikimin në Evropë. Shteti duhet të tolerojë, të ndërmarrë masa që të rinisë futbolli në Superligën tonë” thotë FC Prishtina.