Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim pune online me “Komitetin Teknik të Ekspertëve” për situatën e koronavirusit në vendin tonë. Vendimet që priten të merren dhe lirimi i masave “me pikatore” nga droja e shpërthimit të një vale të dytë
Nga Silvana Tresa
Ditët e fundit është diskutuar shumë në media mbi Komitetin Teknik të Ekspertëve, dhe paqartësive ofro 2-mujore që prej nisjes së pandemisë në vend, se nga kush drejtohet. Edhe pse ky komitet është “koka” që drejton strategjinë në luftën kundër Covid-19, dhe ishin përfolur shumë emra të njohur të mjekësisë shqiptare, nuk dihej me saktësi emri që e drejtonte atë dhe ekspertët e tjerë që ishin pjesë e kësaj task-force.
Për të hedhur poshtë gjithë zërat dhe kritikat e deritanishme mbi këtë çështje, kryeminitri Edi Rama, thirri ditën e djeshme në një mbledhje të gjithë ekspertët. Pasi ka përfundur fjalën e saj zv. Ministrj Rakacolli, kryministri Edi Rama ka shfrytëzuar këtë moment për të marrë fjalën dhe për t’i dhënë përgjigje gjithë opinionit publik se Rakacolli është kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve.
“Po doktoreshë Mira, se ka pasur pyetje, kush është kryetari, na çmendën, është një grua, ja kush është”-tha Rama.
Kryeministri gjithashtu prezantoi edhe emrat ermrat e njohur të ekspertëve si mjekun Tritan Kalo, Andi Koraqi, Najada Çomo, Sila Bino, Albana Fico, Skënder Brataj, Mira Rakacolli dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
Duke qenë se në javët në vijim do të kemi një hapje tjetër të disa bisneseve, kryeministri Edi Rama u bëri apel qytetarëve që gjatë procesit të rihapjes të mos e ulin vigjilencën ndaj virusit, pasi sipas tij mund të kemi një valë të dytë.
“Jam i shqetësuar për mundësinë që në kushtet e hapjes, njerëzit të fillojnë të harrojnë që faktikisht jemi të hapur, por armikun e kemi mes nesh, dhe nëse nuk respektojmë rregullat e thjeshta, mund të biem pre një evazioni tjetër, sepse vala e dytë nuk është një riardhje e virusit, por një dorëzim i njerëzve për shkak të sjelljes së gabuar në pushtetin e virusit që është këtu. Kjo është sfidë e madhe, por shpresojmë që njerëzit do të vijojnë të bëjnë si duhet detyrat e tyre të thjeshta, sidomos kur hyjnë në mjedise të mbyllura, qendra tregtare, etj”, tha kreu i qeverisë.
Gjatë mbledhjes së komitetit, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se pas datës 18 maj do të rihapen fluturimet, ndërsa theksoi se sfidë mbetet karantinimi i atyre që do të hyjnë në vend nga ajri dhe toka.
“Do të konsultojmë me ju të gjitha masat. Deri në datë 18 janë ato që janë, pastaj do të vijë procesi i hapjes dhe flukseve për të hyrë në Shqipëri nga ajri apo toka, aty do të jetë një tjetër sfidë për të respektuar rregullat e karantinimit në shtëpi për ata që do të hyjnë në Shqipëri. Do të ishte mirë që Ministria e Shëndetësisë të përgatisë disa materiale sensibiluzuese për qytetarët në kushtet e rihapjes për kujdes dhe respektimin e masave”- tha Rama.
Një tjetër sfidë për qeverinë mbetet edhe hapja e transportit publik, që me sa duket do të jetë dhe hallka e fundit e këtij kalvari të gjatë që kërkon zgjidhje. Kryeministri deklaroi se për këtë sektor nuk është gjendur ende një formulë.
“Deri në 90 për qind e kusur është liruar deri në datë 18 maj. E vetmja gjë që mbetet shqetësim është transporti publik me autobusë apo furgonë ndërqytetas, apo në qytet, po shikojmë të gjejmë një formulë kompromisi lidhur me këtë. Nuk e dimë si mund të jetë. Pjesa tjetër po çlirohet duke evituar grumbullimet”- shtoi kryeministri.
Shqetësimeve të kryeministrit Rama mbi hapjen e madhe graduale të vendit dhe frikës për rikthimin e një vale të dytë të virusit, i janë përgjigjur ekspertët e Komitetit Teknik, të cilët shpjeguan se nëse do të vihet re shtimi i rasteve, atëherë do të ketë një rikthim të masave. Kryetarja e komitetit Teknik të Ekspertëve, zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli shpjegoi se kjo do të ndodhë nëse do të ketë 15 raste mbi mesataren, dhe nëse numri i shtrimeve do të jetë te 90, dhe ato në terapi intensive mbi 20.
“Jemi brenda numrave, treguesit që janë flasin që e kemi të kontrolluar! Duke fuqizuar survejancës, duke shtuar kujdesin shëndetësor dhe njëkohësisht duke shkruar kontrollet. Ne mendojmë që strategjia që ju kemi propozuar ka ecur mirë, dhe të vazhdojmë kështu. Do të ketë edhe një vlerë, ajo që u prezantuar është problemi i studimit të imunizimit që të shikojmë si do të jetë vijimësia nëse do jemi përballë një vale të dytë apo që ky virus do të jetë në listën e infeksioneve të mundshme” – tha Rakacolli.
Ndërsa mjeku infeksionist Tritan Kalo, bëri apel që qytetarët të tregohen të kujdeshëm me zbatimin protokolleve të higjenës, dhe mos ta konsiderojnë hapjen si “shqyerje”. Kalo siguroi gjithashtu se nuk do të ketë një rikthim të virusit në vjeshtë.
“Jemi në një stad për të vlerësuar 7 elementë, sjellja në mjedise familjare dhe sjellja në publik, distancimi social, përdorimi i maskave, higjiena individuale, ka bërë që të jemi në parametra normale. E rëndësishme, me hapjen graduale, ajo që mua si specialist më brengos që hapja të mos konsiderohet si shqyrje, por të respektojnë rregullat duke bindur veten që do jetojmë në një kohë ku rreth nesh ka COVID-19. Nëse do të bindemi, kam qartësinë e mendimit se do jemi në një situatë optimale! Nuk do të kemi kthim të valës së madhe të COVID në vjeshte, por do të jetë i përzërë me infeksione të tjera”- tha ai.
Gjatë mbledhjes doktoreshë Silva Bino, bëri të ditur se janë trefishuar testimet, dhe se po përdoren metoda të reja për gjetjen e rasteve aktive. Ndërsa drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico u shpreh se nëse numri i të prekurve do të jetë i ulët, ashtu siç ka ndodhur javët e fundit, gjasat janë që lehtësimi i masave të mos bëhet në harkun e intervaleve dy javore, por një javore.
Ndërkohë drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, bëri të ditur se të prekurit me COVID që janë asimptomatikë, tashmë janë ndërgjegjësuar dhe kërkojnë shërbim në banesë.