Çlirohet pjesa më e madhe e Shqipërisë, “blindohen” 6 zonat e kuqe. Çfarë pritet në ditët në vijim dhe hapja graduale deri në “çlirimin e plotë”, por në varësi të agresivitetit të koronavirusit
Nga Silvana Tresa
Kryeministri Edi Rama njoftoi ditën e djeshme përmes një reagimi në rrjetet sociale se në “zonat e kuqe”, ku përfshihen bashkitë Shkodër, Kurbin, Krujë, Durrës, Tiranë dhe Fier, do të vazhdojë të zbatohet i njëjti regjim oraresh lëvizjeje dhe rregullash qarkullimi, që kanë qenë në zbatim gjatë gjithë kësaj kohe. Sipas kryeministrit, këto zona do të vazhdojnë të mbeten ende të bllokuara, pasi, sipas raportimit të përditshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, këtu është vërejtur edhe numri më i madh i rasteve me Covid-19. Këto zona vazhdojnë ende të mbeten vatra të përhapjes së infeksionit. Për këtë arsye, ato do të blindohen me postblloqe dhe nuk do të lejohen hyrje-daljet e automjeteve të paautorizuara.
Ndërkohë e gjithë pjesa tjetër e vendit, do jetë një “zonë e gjelbër” dhe qarkullimi me automjete private në këto zona do të jetë i lejuar, teksa do të ketë zgjatje të orarit të qarkullimit deri në orën 21:00.
Rama sqaroi që, edhe pse do të ketë një zgjatje të orarit të lejuar për “zonat e gjelbra”, aty do të vazhdojnë të mbeten në fuqi rregullat që ndalojnë grumbullimin e më shumë se 5 personave, aktivitetet kulturore e sportive të çdo lloji, si dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura transporti publik dhe bizneset e tjera, për të cilat nuk është dhënë ende një urdhër se kur mund të fillojnë ta ushtrojnë aktivitetin e tyre. Kryeministri la të kuptohet se kjo do të jetë fundjava e fundit që shqiptarët do ta kalojnë nën masa të rrepta izolimi, por pa zbuluar më tepër se çfarë do të na presë në javët në vijim.
Për sa i përket kësaj fundjave, do të vazhdojnë të mbeten në fuqi udhëzimet që ishin edhe fundjavën e shkuar. Në të gjithë vendin do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që kanë autorizim për punë, ndërsa dalja e këmbësorëve do të bëhet me dy fasha orare. Pensionistët do të kenë mundësi të dalin ditën e shtunë deri në orën 09:30, ndërsa të dielën prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç, mund të dalin nga ora 10:30 deri në 17:30.
Kreu i qeverisë ka premtuar që, nëse situata do të vazhdojë të jetë e qëndrueshme si deri më tani, dhe numri i të infektuarve dhe të shtruarve në spital do të jetë me këto ritme, kjo do të jetë fundjava e fundit që vajzave dhe djemve mbi 14 vjeç do t’u ndalohet dalja nga shtëpia.