Kryeopozitari Lulzim Basha ka bërë sot një denoncim të fort kur bëri me dije se në zyrën e prokurimeve në Ministrinë e Shëndetësisë ka rënë zjarri. Kreu i Partisë Demokratike ngriti dyshime se zjarri është i qëllimshëm për të djegur provat e manipulimit të kontratave që, sipas tij, kjo Ministri ka bërë gjatë pandemisë.
PD ka bërë disa kallëzime për Ministrinë e Shëndetësisë apo Ministrinë e Mbrojtjes dhe Basha theksoi se pikërisht në këtë moment bie zjarri në katin e katërt të godinës ku, sipas tij, ndodhet zyra e prokurimeve.
Kreu i opozitës tha se kjo ngjarje është një test jetë a vdekje për SPAK-un, në të kundërt ky institucion do të konfirmojë se ka lindur i vdekur.
“Çfarë ka bërë Edi Rama? 0.86% (e PBB), ndihma më e ulët në rajon. Edhe në kohë pandemie e ka mendjen për të vjedhur. Prandaj shkojnë tenderat sekretë. Paska rënë edhe zjarri në një nga katet Ministrisë së Shëndetësisë tani që SPAK filloi hetimet. E keni dëgjuar apo jo? Ka rënë zjarri në katin e katërt, te zyra e prokurimeve të Ministrisë së Shëndetësisë. Kam paralajmëruar prej kohësh që arsyeja kryesore pse Edi Rama nuk publikon kontratat e tenderave sekretë është sepse po manipulon të dhënat. Si duket nuk ia kanë dalë dot me manipulimin dhe i kanë vënë flakën. Por uroj të kenë mbetur mjaftueshëm gjurmë pasi ky është një test për jetë a vdekje për SPAK-un. Nëse dështon në këtë test, praktikisht SPAK-u i ri ka lindur i vdekur. Dua t’i bëjë thirrje prokurorëve që të procedojnë me hetimin në mënyrë transparente me publikun pasi bëhet fjalë për taksat e shqiptarëve në kohë pandemie. Të refuzojnë çdo formë presioni apo joshje nga Ëngjëll Agaçi, Taulant Balla, Ulsi Manja dhe korrierët e tjerë të Edi Ramës të cilët ushtrojnë presion ndaj SPAK-ut për të mbyllur hetimet për korrupsionin. Askush nuk ka për t’i falur nëse nuk ngrihen në lartësinë e detyrës për të cilën u krijuan, për të luftuar korrupsionin”, u shpreh Basha.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, bëri me dije më 30 prill se po kryen hetime intensive për procedimin penal që ka për objekt prokurimet e zhvilluara në kushte emergjence të pandemisë së COVID-19 nga Ministria e Mbrojtjes, ndërkohë që po verifikohen denoncimet publike për prokurimet e zhvilluara në kushte emergjence të pandemisë nga Ministria e Shëndetësisë me procedurë të klasifikuar ″sekret″.