Me kampionatet vendase ende në pikëpyetje dhe kupat kombëtare të sfumuar në plan të tretë, UEFA përballet këtë muaj me vendime serioze që do të shpëtojnë miliarda Euro fitime, e si rrjedhojë mbijetesën e shumë klubeve. Diku kërkojnë përmes Gjykatës një vend në Europë si Lyon, diku kërkojnë kalendar të qartë për ndeshjet e Champions, por fakt mbetet që në 25 Maj, të marrin fund edhe dilemat.
Në këtë datë qeveria e futbollit kontinental do arkivojë përgjigjet e 55 federatave anëtare(disa e kanë bërë paraprakisht si Belgjika apo Franca), të rinisë sezoni apo të quhet i mbyllur. UEFA synon të përcaktojë përparësitë e ligave vendase para garave të tyre, në mënyrë që të shpëtojnë financat e klubeve, sidomos ata më të dobët financiarisht.
Pasi të zgjidhet futbolli vendas, UEFA planifikon të zhvillojë fazat e fundit të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Europës në muajin gusht. Finalet siç janë përcaktuar, Europa në Gdansk në Poloni dhe Champions në Stamboll. Ende kanë mbetur edhe 17 ndeshje për t’u luajtur në Ligën e Kampionëve, me klube të mëdha si Atletico Madridi, Real Madridi, Barcelona, Manchester City, Juventusi dhe PSG ende pjesë e garës.
Ndërkohë, kanë mbetur 27 ndeshje në Ligën e Europës, ku as këtu nuk mungojnë klube të mëdha si Interi, Manchester Unitedi dhe Sevilla.