Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj bëri të ditur se po përmbyllen pagesat e dëmshpërblimeve të tërmetit.
Deklarata u bë nga Njësia numër 1, ku Veliaj ka nisur edhe një tur në të gjitha njësitë e Tiranës, për të ndjekur të gjithë ecurinë e procesit të rindërtimit. Kryebashkiaku i kërkoi opozitës që të mos bëjë politikë me fatkeqësinë prej tërmetit.
“Siç kemi raste nevojtarësh, kemi edhe raste spekulantësh. Ne nuk do i hyjmë askujt në hak, por nëse dikush gënjen dhe thotë kam edhe dy shtëpi të tjera, atëherë kjo është skemë për të ndihmuar dikë që është në nevojë, jo për skena dasmash ku ti vetëm hedh lekë për çiftin. E dyta: Këto lekë merren nga taksat e qytetarëve.
Kur shoh këta që bëjnë politikë, thonë: Ja, filani! Po mirë mo, ja ku e ka faturën, ja ku i ka marrë lekët, pse duhet të gënjesh e të bësh politikë me tërmetin e fatkeqësinë? Kemi pasur 5-6 raste në njësi të tjera ku, për dy minuta e verifikon nëse i ka tërhequr para apo jo.
Qytetari e ka firmosur me dorën e tij, ka tërhequr paratë, por mos gënje sepse të tjerët që kanë paguar taksat thonë: Po mirë, unë po jap nga paratë e mia të të ndihmoj, mos e përdor politikisht!”, sqaroi Veliaj.
Sot Veliaj vizitoi edhe familjen e Milanda Domit, e cila është dëmshpërblyer në masën 3.5 milion lekë për riparimin e apartamentit. Veliaj ishte edhe në familjen e gazetarit ikonë të lajmeve, Dhimitër Gjoka, familja e të cilit gjithashtu përfiton dëmshpërblim për riparimin e shtëpisë së dëmtuar nga tërmeti./Bl.Ba/Fjala.al