Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ndodhet në karantinë pasi një i afërt me të ka rezultuar i infektuar me COVID-19.
Lajmin e njoftoi vetë von der Leyen përmes një postimi në Twitter ditën e sotme, duke shtuar se kishte kryer një test tjetër, pas testit të së enjtes ku kishte rezultuar negativ.
Deklarata e von der Leyen erdhi pasi samiti me udhëheqësit e Bashkimit Evropian u vendos të shtyhej me një javë për shkak se një punonjës i sigurisë rezultoi i infektuar me koronavirus.

“Më kanë informuar se gjatë një mbledhjeje ku mora pjesë të martën, një pjesëmarrës rezultoi dje pozitiv me COVID-19.
Në respektim të rregullave në fuqi, jam vendosur në karantinë deri të nesërmen. Rezultova negative të enjten dhe kam kryer një tjetër test sot,” – shkroi Presidentja e KE-së.
Presidentja e KE-së ishte javën e shkuar në Lisbonë për një takim me zyrtarët qeveritarë atje, por nuk iu referua dhe nuk dha detaje në njoftimin që bëri në Twitter.
Ajo pritet të marrë pjesë si përfaqësuese kyçe në diskutimet me Britaninë e Madhe rreth çështjes së krijuar për marrëveshjen e largimit nga BE-ja.