Pas 72 orësh në spital, Presidenti Donald Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë të hënën në mbrëmje.
Presidenti nuk dha komente për gazetarët kur iu drejtua makinës që e dërgoi tek helikopteri presidencial në oborrin e spitalit. Ai gjithashtu nuk foli për shtypin kur mbërriti në Shëpinë e Bardhë, por u ngjit në shkallët e pjesës jugore dhe qëndroi për më shumë se një minutë në ballkon, duke përshëndetur largimin e helikopterit presidencial.
“Megjithëse nuk është krejtësisht jashtë rrezikut, unë dhe ekipi mjekësor jemi të mendimit se analiza e gjendjes së tij të përgjithshme, mbështesin kthimin e tij” në Shtëpinë e Bardhë, ku një ekip mjekësor dhe pajisje të sofistikuara mjekësore do të jenë në dispozicion të nevojave shëndetësore të presidentit 24 orë në ditë, tha në një konferencë për shyp të hënën pasdite Dr. Sean Conley, mjeku kryesor i presidentit.
Presidenti njoftoi përmes Twitter-it se të hënën në mbrëmje do të dalë nga spitali.
“Do të dal nga qendra e mrekullueshme spitalore Walter Reed në ora 18:30. Ndjehem shumë mirë! Mos kini frikë nga COVID-i. Mos e lini t’ju kontrollojë jetën. Administrata Trump ka zhvilluar njohuri dhe mjekime të mrekullueshme. Ndjehem më mirë se 20 vjet më parë!” tha presidenti.
Mjekët e presidentit kanë thënë se kanë “optimizëm të matur dhe jemi në gatishmëri, sepse jemi në rrethana të panjohura pasi po e mjekojmë me ilaçe që nuk i jepen zakonisht pacientit kaq herët pas shaqjes së sëmundjes,” tha Dr. Conley. “Nëse e kalojmë të hënën me të njëjtat ritme përmirësimi, do të hedhim hapin e fundit dhe do të marrim frymë të çliruar,” tha mjeku.
Trump mori një trajtim eksperimental të antitrupave së bashku me remdesivirin antiviral dhe steroidin anti-inflamator dexamethasone. Të dyja medikamentet e fundit ishin në përdorim para goditjes pandemike të koronavirusit dhe para se Trump të merrte detyrën.
/Ra.My.Fjala.al/
