Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” Hatixhe (Ije) Farkën, shtëpia e së cilës ishte një nga bazat e rëndësishme të Luftës Antifashiste në Tiranë.
“Ije Farka, mbetet simbol i nënave tiranase që shtëpitë e tyre të thjeshta në rrugicat e Tiranës i kthyen në baza të luftës, madje kur u shtrua nevoja edhe në kështjella të qëndresës antifashiste”, ka shkruar Meta në facebook.
Postimi i plotë i presidentit Meta:
Shtëpia e Hatixhe (Ije) Farkës në Kodrën e Kuqe, ku u strehuan Vojo Kushi, Xhoxhi Martini, Sadik Stavileci, Muharrem Llanaj dhe shumë antifashistë të tjerë, ishte një nga bazat e rëndësishme të Luftës Antifashiste në Tiranë, që hapi dyert edhe për shumë ilegalë.
Ije Farka, mbetet simbol i nënave tiranase që shtëpitë e tyre të thjeshta në rrugicat e Tiranës i kthyen në baza të luftës, madje kur u shtrua nevoja edhe në kështjella të qëndresës antifashiste.
Si shembull i përkushtimit, sakrificës dhe atdhedashurisë së pakufishme në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, simbol i përjetshëm i heroizmit të nënës tiranase, e cila nuk u lëkund nga ideali për çlirim kombëtar megjithë torturat, burgosjet e familjes dhe flijimin e bijve të saj për lirinë e atdheut, pata sot kënaqësinë e veçantë ta vlerësoj me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”. ??/Jo.Be/Fjala.al